Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira, të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare, ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucionalë të të dyja shteteve.
Kryeministria ka bërë të ditur se Kurti në Athinë me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, është shprehur pro bashkëpunimit të ngushtë në tema të interesit të përbashkët.
“Fillimisht, kryeministri Kurti i uroi homologut të tij grek Mitsotakis për rizgjedhjen e tij kryeministër dhe mandatin e ri qeveritar, duke ofruar bashkëpunim të ngushtë në tema të interesit të përbashkët. Kryeministri tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare, ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve”, njofton kryeministria.
Në takim po ashtu është biseduar edhe për dialogun në Bruksel, ku Kurti ka theksuar se dy vendet kanë tashmë marrëveshje, por që duhet të zbatohen plotësisht dhe pa kushtëzime.
“Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje, porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime. Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra, kemi një situatë të deeskaluar e ku fokusi duhet të jetë te parandalimi i rieskalimit nga elemente të dhunshëm”, thuhet tutje.
Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryeministri Mitsotakis e falënderoi për pjesëmarrjen në darkë kryeministrin Kurti dhe tha se është i interesuar t’i forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
“Kryeministri veçoi rritjen ekonomike për çerekun e parë të këtij viti që qëndron në 3,9% dhe rënien e shkallës së inflacionit nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor, si dhe progresin në indikatorët e demokracisë. Tha se me strategjinë e re për energjinë, qeveria është zotuar që gjenerimet e reja në energji të jenë nga burimet e ripërtërishme, pra solare dhe nga era. Përmendi sektorët në rritje të prodhimit të ekonomisë sikurse atë të përpunimit të metaleve dhe të drurit, tekstilit, ushqimit dhe pijeve, si dhe sektorin e shërbimeve dhe teknologjisë informative”.
Kryeministri Kurti e ftoi kryeministrin Mitsotakis për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë, duke thënë se “shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro krahasuar me 2021”.
Gjersa shprehu keqardhjen për zjarret që kanë përfshirë një pjesë të Greqisë, shefi i ekzekutivit ofroi ndihmën e Kosovës në përballimin me zjarret përmes njësiteve të kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.