Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë marrë pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare.
Kurti, me këtë rast, tha se në Kosovë, liria e besimit dhe e fesë janë të garantuara, duke shtuar se edhe para miratimit të ligjit, respektimi i lirive fetare ka qenë në nivel, raporton EO.
“Ndër qëllimet e projektligjit është përditësimi i kornizës ligjore për liritë fetare. Liria e besimit dhe fesë është e garantuar. Liria e besimit dhe fesë ngërthen të drejtën për të pranuar fenë. Konventa për të drejtat e njeriut përcakton se çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe fesë”, ka deklaruar Kurti.
Madje, ai tha se Kosova qëndron e para në rajon sa i përket sundimit të ligjit, ndërsa qëllim ka që të arrijë standardet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Edhe para se të miratohej projektligji, Kosova qëndron mirë për respektimin fetar. Kosova qëndron e para në rajon në sundimin e ligjit. Edhe në këtë fushë, Qeveria synon të arrijë standarde në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
Sipas Kurtit, një shoqëri e hapur si Kosova mirëpret qytetar nga çdo kënd i botës dhe se ndër qëllimet e projektligjit është për të promovuar pluralizmin fetar.