Pas liberalizimit Kosova e meriton dhe duhet të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë në Vjenë, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës.
Duke diskutuar në Institutin “Karl Renner” në Vjenë ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është i vonshëm.
“Menjëherë pas liberalizimit Kosova e meriton dhe duhet të marrë statusin e vendit kandidat. Shpresoj që t’i përgjigjemi me zell mijëra pyetjeve që Ursula von Der Leyen do të na i bëjë ne, pasi t’i thotë Këshilli Evropian. Liberalizimin po ta fitonim para disa vjetëve do të ishte më i rëndësishëm për Kosovën sesa që është tash. Po përpiqemi t’i mbajmë njerëzit në vendin tonë, nëpërmjet ‘ausbildung’ siç e quani, kjo ndërlidhje e arsimit me tregun e punës. Ne si hakmarrje e ëmbël po marrim modelin gjerman që njerëzit të mos shkojnë më në Gjermani”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, Kurti ka folur edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se dyshon që qëllimi i Serbisë kishte qenë që të shtyjë policinë e Kosovës ta sulmojë Manastirin e Banjskës.
“Ata shpresonin ta sulmonim manastirin, ku kishte disa pelegrinë e priftërinj ortodoksë. Gjëja e parë që më erdhi në mendje kur më telefonoi ministri i Brendshëm në katër të mëngjesit të dielën më 24 shtator, e pyeta se ku po ndodh. Më tha afër një manastiri, fiks edhe në Sarajevë më 1 mars filloi ashtu me plagosjen e një peshkopi ortodoks e vrasjen e babait të dhëndrit në atë ceremoni. Të gjithë mendonin se u vra prifti, por ai ishte plagosur. Ishte përpjekje për t’i dhënë hije fetare këtij konflikti. E siç e ka thënë Churchilli, nëse doni që konflikti të mos përfundojë kurrë atëherë bëjeni fetar. Urdhri im për ministrin e Brendshëm ishte zero viktima civilë, asnjë plumb nga policët tanë në muret e manastirit. Të luftohen terroristët vetëm në atë mënyrë”, ka thënë Kurti.