Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se kur kërkohet largimi i kryetarëve të komunave veriore nga zyrat e tyre, duhet të kryhen zgjedhje të reja.
Pra, Kurti është shprehur bindshëm kundër largimit të tyre pa pjesëmarrje të re në zgjedhje.
Ai ka shprehur bindjen se nëse pjesëmarrja është e lartë në zgjedhjet e reja lokale, fituesit do të jenë kryetarë të rinj, jo ata aktualë.
“Kur kërkohet largimi i kryetarëve të komunave veriore nga zyrat e tyre, kjo bëhet pikërisht me zgjedhje të reja, ne nuk jemi kundër largimit të tyre, por jemi kundër largimit pa zgjedhje të reja. Pas zgjedhjeve të reja lokale me siguri që do të fitojnë kryetarë të re, nëse pjesëmarrja është e lartë, nuk ka kurrfarë dyshimi që nuk do të jenë këta kryetarë, por disa të tjerë”, ka deklaruar ai.
Ai, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës të enjten, ka thënë se është dhe ishte i gatshëm për të pranuar Listën Serbe në zgjedhjet lokale të katër komunave në veri të Kosovës.
Kryeministri Kurti kishte besuar se rezultati i zgjedhjeve do të ishte i tillë që do të kishte dy kryetarë shqiptarë dhe dy serbë në komunat e veriut.
“Unë kam qenë i gatshëm pavarësisht se çfarë kanë bërë kundër Kosovës dhe Qeverisë që t’i pranojmë të garojnë në zgjedhjet lokale në katër komunat në veri, Listën Serbe, ajo refuzoi, pas bojkotit të saj dhe thirrjeve të saj për bojkot, sinqerisht kam besuar se me datë 23 prill në mbrëmje fituesit do të jenë kësisoj, dy kryetarë shqiptarë dhe dy serbë. Gjithçka ka treguar që kështu do të jetë rezultati, dy ditë para zgjedhjeve Aleksnadër Jabllanoviqi del nga fushata, edhe bëhet e pamundur që të fitojë edhe Pantoviqi”, është shprehur Kurti në seancën e Kuvendit, mbrëmjen e së enjtes, raporton Dukagjini.
“Pra, pa fajin tonë jemi në këtë gjendje dhe tash kur ai doli nga fushata e gjithë trysnia mbi Lulëzim Hetemin. Ai dhe kryetarët e tjerë po përpiqen që të kenë edhe nënkryetarë e drejtorë nga komuniteti konkretisht, nënkryetare në Leposaviq është e komunitetit serb, po ashtu edhe në Zvecan e në veri të Mitrovicës”, ka deklaruar tutje ai.
Deputeti Abelard Tahiri kishte ngritur një çështje në Kuvendin e Kosovës, duke kritikuar indiferencën e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.
Ai ka shprehur mospëlqimin ndaj reagimit zero të faktorëve ndërkombëtarë ndaj situatës aktuale në Kosovë.
Në anën tjetër, Kurti ka theksuar se ndryshe nga Serbia, faktorët ndërkombëtarë kanë komunikim edhe me opozitën në Kosovë dhe se ata duhet të jenë më përgjegjës në reagimet e tyre.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka qenë aktive në bashkëpunim me KFOR-in dhe se pala tjetër, pra faktorët ndërkombëtarë, sipas tij, duhet të japin një përgjigje më të mirë dhe më të plotë ndaj situatës aktuale.
Kurti ka shtuar se arrestimi i “Llunit” ka qenë një veprim që ka për qëllim deeskalimin e tensioneve, ndërsa rrëmbimi i tre policëve nga Serbia është një eskalim i situatës.
Sipas Kurtit, Kosova arreston ata që eskalojnë, ndërsa Serbia eskalon duke rrëmbyer ata që deeskalojnë.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Ata besojnë se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin masa për ta zbutur situatën dhe ta respektojnë planin prej tre pikash të paraqitur nga Bashkimi Evropian.
“KFOR-i s’duhet të jetë i heshtur, e kishte mandat parandalimin e kidnapimit”
Ndërsa, Kurti ka thënë se është në pritje të reagimit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për kdinapimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës..
Ai ka thënë se mbrojtja e vijës kufitare në pjesën veriore të Kosovës është përgjegjësi e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, por “në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it”.
KFOR: Nuk ishim në zonën ku u arrestuan tre policët e Kosovës
KFOR-i nuk ka qenë në zonën ku ka ndodhur, siç e kanë cilësuar ata, arrestimi i tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat e Serbisë.
Kështu thuhet në një përgjigje të KFOR-it për RTV Dukagjinin.
Në përgjigjen e tyre thuhet se KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe.