Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë adresimit të tij në fillim të mbledhjes së Qeverisë ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, konfirmojnë se vendi është në rrugën e duhur evropiane.
“Javën që lamë pas edhe këtë javë çdo qytetar i Republikës është ndjerë më evropian dhe më afër Evropës. Me shumë punë dhe angazhim vitin e kaluar arritëm që gjatë presidencës çeke ta zhbllokojmë procesin e liberalizimit të vizave. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm qytetarët tanë mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende të reja evropiane. Pasaporta jonë do të jetë më e fuqishme, ashtu siç shteti ynë po bëhet përherë e më i fortë”, ka thënë ai.
“Këto dy vendime të rëndësishme brenda më pak se një jave konfirmojnë rrugën tonë evropiane, konfirmojnë se jemi në rrugën e duhur dhe konfirmojnë se Kosova i përket Evropës si union, si vlerë”, shtoi ai.
Ndërkaq këtë javë u mor një vendim tjetër në Strasburg.
“Komiteti i ministrave me mbi 2/3 e votave të nevojshme votoi për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Besojmë thellësisht se si shtet i ri, demokratik e paqedashës do të japim kontributin e çmueshëm si anëtarë me të drejta të plota”.
“Çështja e të personave të zhdukur me dhunë – aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e saj”
Kurti ka treguar se këtë të mërkurë do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
Sipas Kurtit, kjo është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj.
“Miratimi i këtij projektligji sot është i një simbolike të veçantë, jo vetëm për faktin që jemi në prag të shënimit të 27 prillit, por edhe në vazhdën e iniciativave të konkretizuara së fundmi, si në procesin e liberalizimit të vizave dhe në procesin e anëtarësimit të KiE, po ashtu kur çështja e personave të zhdukur me forcë ka marrë një dinamikë të re edhe në kuadër të dialogut”, shtoi ai.