Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës ka listuar të arriturat e Qeverisë së Kosovës përgjatë punës dyvjeçare të saj.
Gjatë dy viteve qeverisje, shefi i ekzekutivit ka thënë se ka arritje qysh nga ligji për pagën minimale që ka kaluar në lexim të parë në Kuvend e deri te fakti që Trusti kishte humbje kur kishte bord ndërsa tashmë kur nuk ka bord sipas tij ka fitim.
Kreu i Qeverisë ka thënë se përgjatë këtij gjysmë mandati qeverisjeje ka pasur rritje të investimeve të huaja direkte dhe rritje të eksporteve.
“Ekonomia është e të gjithëve dhe nëse ajo shkon mirë duhet t’i gëzohemi të gjithë sepse na prek të gjithëve. Në vitin e parë të qeverisjes patëm rritje 10.7 për qind të bruto produktit vendor që është më e larta në historinë e vendit, ndërsa në vitin 2022 kur i gjithë kontinenti ynë po vuante ekonomikisht si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, rritja ishte rreth 4 për qind pasi që të hiqet inflacioni. Për vitin 2022 i kemi pasur rreth 920 milionë eksporte, këtë vit do t’i kalojmë mbi 1 miliard, rritja e eksportëve tregon rritjen e gjallërisë së ekonomisë sonë, rritjen e sektorit prodhues të mallrave e të shërbimeve. Raporti eksport -import në vitin 2019, pra vitin para se të bëhem unë kryeministër për herë të parë, ishte 1 me 9 e sot është më pak se 1 me 6. Nëse vazhdojmë kështu, dhe sigurisht që do të vazhdojmë kështu, me ndihmën e sipërmarrësve të punëtorëve që angazhohen në sektorët prodhues, raporti eksport-import do të përmirësohet e deficiti tregtar të zvogëlohet”, ka thënë Kurti.
Kurti ndër të tjera ka përmendur se si janë krijuar programe të mbështetjes sociale dhe si Kosova është ngritur në pozita sa i përket luftimit të korrupsionit dhe forcimit të sundimit të ligjit.
“Për 21 muaj, nga marsi i vitit 2021 deri në dhjetorin e vitit 2022, është rritur punësimi primar nga mbi 325 mijë të punësuar në mbi 362 mijë të punësuar, pra për 21 muaj mbi 37 mijë më shumë të punësuar dhe numri i grave të punësuara është 50.3 për qind të rritjes së gjithëmbarshme. Si kurrë më parë janë krijuar programe të reja të mbështetjes sociale dhe të punësimit sikurse shtesat për 34 mijë lehona dhe 340 mijë fëmijë, pra lehonat dhe fëmijët nuk kanë marrë asnjë cent në të kaluarën dhe tash praktikisht ata mbështeten nga shteti dhe në momentin kur kalon Ligji edhe në lexim të dytë për Pagën Minimale, automatikisht do të rriten edhe shtesat për lehonat”.
“Është forcuar sundimi i ligjit duke luftuar korrupsionin, kemi shkatërruar dhjetëra laboratë drogë, disa sosh prej tyre në veri”, ka vijuar Kurti.
I gjithë ky progres sipas tij në luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit është vlerësuar në matjet e indekseve të raporteve të organizatave të pavarura.
“Këto arritje përmirësojnë imazhin e shtetit, janë vetëm nga disa punët që kemi bërë në dy vitet e shkuara. Nuk pata mundësi të përmend gjithçka, edhe ju pjesë e sukseseve tona jeni edhe ju, ju falënderoj secilin për kontributin e juaj në gjysmën e parë të mandatit tonë”.