Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar masat e kërkuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për çështjet që lidhen me Kosovën, duke i quajtur si pjesë e një fushate agresive, që ka për synim krijimin e konflikteve të reja.
Shefi i ekzekutivit ka theksuar se masat e Vuçiqit për Kosovën bëhen nga dëshpërimi dhe janë jopaqësore.
Teksa përmendi tri kushtet e tij Kurti tha se të njëjtat janë racionale e paqësore.
“Këto kërkesat e tij masat e tij bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin jo rocionalitet dhe nuk janë aspak paqësore, por pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që padyshim nuk kanë vend në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.
“Së pari duhet të flisni për tri kushtet që i kam vënë unë që janë paqësore e racionale, e para është dorëzimi i Milan Radoiçiqit, nënshkrimi i marrëveshjes dhe tërheqja e letrës së Bërnabiqit që thotë se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, as ulësen në OKB për Kosovën e as nuk e respekton integritetin territorial”, ka thënë tutje Kurti në një deklarim para mediave të martën.
Para mediave, Kurti të martën ka folur edhe për hedhjen e koktejit të molotovit në një shtëpi në veri, ku ka thënë se ata që bënë këtë krim do të ndiqen nga organet vendore.
Ai nuk ka folur për takimin e së martës në Bruksel.
Gjatë një adresimi në fund të javës së kaluar, Vuçiq kërkoi riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë kthimin e tyre në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.