Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në përmbyllje të vitit të tretë të qeverisjes së tyre, e kanë konfirmimin mbi amendamentet kushtetuese për Vetingun, duke u shprehur se Vetingu i shumëpritur e tejet i nevojshëm po merr rrugë.
Kurti ka theksuar pritjen nga Gjykata Kushtetuese për shqyrtimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“E kur gjërat janë varur nga ne, punët kanë ecur më shpejt”, ka thënë kryeministri.
Kurti edhe pse po lavdërohet për këto suksese, kujtojmë që deputetët e partive opozitare, kanë kritikuar qeverisjen trevjeçare nën udhëheqjen e tij. Ata kanë akuzuar Qeverinë se nuk ka arritur t’i adresojnë problemet me të cilët përballen qytetarët e Kosovës dhe, sipas tyre, nuk ka pasur ndryshime pozitive në Kosovë.
Ndërkohë, kryeministri para pak ditësh e ka ftuar Gjykatën Kushtetuese të garojë edhe ajo në zgjedhjet e ardhshme. Ai në një intervistë për Televizionin Publik të Kosovës, ka theksuar se nëse kjo gjykatë merr vendime për politikat, atëherë duhet të garojë në zgjedhje.
Në këtë postim, Kurti ka thënë tutje se kanë themeluar dhe funksionalizuar Gjykatën Komerciale dhe kanë miratuar në qeveri projektligjin për themelimin e Gjykatës Administrative, siç kanë premtuar.
“E kemi themeluar dhe funksionalizuar Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë. Në janar të këtij viti u bë edhe pranim dorëzimi i dokumenteve të para në këtë Institut. Po ashtu, kemi mundësuar gjykimin në mungesë për kriminelët e luftës. Kemi kompletuar pakon ligjore kundër korrupsionit, duke miratuar ligjet për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe atë për Deklarimin e Pasurisë. Gjithashtu kemi mundësuar Task-forcën Antikorrupsion, e cila pritet të funksionalizohet gjatë vitit”, ka shtuar ai.
Kreu i ekzekutivit ka shtuar se ndër tjerash kanë miratuar edhe rregullativën për sinjalizuesit, dhe se përmes ndryshimeve procedurale penale, kanë mundësuar largimin e zyrtarëve publikë me aktakuza dhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për zyrtarët që kanë keqpërdorur pozitat zyrtare.
“Për të adresuar dhunën në familje dhe në baza gjinore që vazhdon të na shqetësojë si shoqëri dhe institucione, kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026, krahas Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, Ligjit për Ndihmë Juridike Falas dhe mbi 10 akte tjera normativ. Në kuadër të fushatës së përvitshme ’16 Ditë të Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore’, në fund të vitit të kaluar, për herë të parë lansuam masën e punësimit për gratë që janë viktima të dhunës. Përmes kësaj mase, qeveria do të subvencionojë 70% të pagës së të punësuarave për gjashtë muaj me radhë. Deri më tani janë dhjetëra aplikuese që pritet të përfitojnë nga kjo masë. Ndërkaq, strehimoret që kujdesen për viktimat e dhunës në familje dhe organizatat e shoqërisë civile që mbrojnë dhe avokojnë për të drejtat e njeriut, i mbështetëm me 1.6 milionë euro gjatë vitit 2023”, ka shtuar tutje Kurti.
Më tej, Kurti ka potencuar se kanë ndarë 200 mijë euro më shumë për fëmijët pa përkujdes prindëror.
“I kemi liruar nga pagesa e ushqimit në Qendrën e Studentëve dhe banimit në Konvikte të gjithë studentët pa kujdes prindëror ose që kanë qenë në strehim familjar gjatë periudhës sa kanë qenë fëmijë. Ata së bashku me personat me nevoja të veçanta, personat që kërkojnë të realizojnë të drejtat në Qendrën për Punë Sociale dhe personat që përfitojnë nga Ligji për Ndihmë Juridike Falas, gjithashtu i kemi liruar nga tarifat noteriale. Sa i përket shërbimeve noteriale, kemi hapur gjashtë zyra alternative noteriale në Komunën e Malishevës, Rahovecit, Obiliqit, Kamenicës, Istogut dhe Kaçanikut, të cilat kishin mbetur pa noterë”.
Mes të tjerash, Kurti ka deklaruar se këtë vit kanë hapur thirrje publike në vlerë prej 1.5 milionë euro për mbështetje financiare për strehimoret dhe OJQ-të e licensuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare.