Kurti me lëvdata edhe për sektorin e arsimit: Liruam studentët nga pagesa, kemi ndarë mbi 4 mijë bursa

I pari i ekzekutivit, Albin Kurti, po vazhdon të rendit angazhimet e Qeverisë në sektorë të ndryshëm. Ai ka ndarë të arriturat për sektorin e arsimit gjatë vitit 2022, duke theksuar se ka liruar studentët nga pagesa dhe ka ndarë mbi 4 mijë bursa për ta

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka renditur angazhimet e Qeverisë për sektorin e arsimit gjatë vitit 2022.

Kurti, nëpërmjet një postimi Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës me qëllim arsimin cilësor dhe gjithëpërfshirës, i cili e zhvillon potencialin dhe kompetencat gjatë vitit të kaluar, ka miratuar strategjinë e re të arsimit 2022-2026, rikthimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim në ENQA, si anëtare e asocuar dhe lirimin nga pagesa për afër 43 mijë studentë.

Përveç strategjisë së re për arsim, Kurti ka përmendur edhe ndarjen e mbi 4 mijë bursave për studentët, heqjen e pagesave, ndërtimin e shkollave të reja e kështu me radhë.

Sipas tij, nga Ministria e Arsimit janë ndarë rreth 2 mijë bursa për studentët e dalluar, për studime brenda dhe jashtë vendit.

“Mbi 100 bursa për nxitjen e vajzave dhe djemve për studime në profile deficitare. Afro 2 mijë bursa për fushat STEM, 300 mijë euro bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Po ashtu, Kurti ka bërë të ditur se nga Qeveria e Kosovës janë ndërtuar katër shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, tri salla të edukatës fizike.

“27 shkolla janë furnizuar me inventar, 22 salla të edukatës fizike me pajisje sportive, 55 objekte shkollore me pako për mirëmbajtje, dhe 22 objekte shkollore me pajisje laboratorike”, ka shkruar tutje Kurti.

I pari i ekzekutivit, ka treguar se Qeveria ka ndarë 300 mijë euro për qendrat mësimore të fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë, si dhe 350 mijë euro për punë me fëmijë me talente dhe fëmijë me nevoja të veçanta.

“100 asistentë më shumë për fëmijët me nevoja të veçanta (viti 2023 përmbyllet me 500 asistentë). Bëmë unifikimin e Abetares Kombëtare në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë. Finalizuam dhe botuam tekstin e Gjuhës shqipe, niveli i parë për fëmijët në mërgatë. Filluam pilotimin e arsimit dual për 4 profile: murator, floktar, kuzhinier dhe asistent i mikpritjes hoteliere, në 5 shkolla profesionale dhe 3 komuna”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, Kurti ka përmendur se Kosova u bë anëtare me të drejta të plota në programin Horizon Europe, duke fituara pesë projekte në vlerë rreth 600 mijë euro.

Ndër të tjera, Kurti në takim me kryetarët e qendrave të LVV-së të shtunën e 7 janarit, ka deklaruar se “për 2 vjet qeverisje në Kosovë nuk ka korrupsion”.

“Në mars të këtij viti, bëhen 2 vite të qeverisjes së mirë me Republikën, pa korrupsion, me investime në rritjen e mirëqenies qytetare, me reformat rrënjësore në të gjithë sistemin institucional të Republikës tonë, e me përfaqësim dinjitoz si asnjëherë më parë në politikën e jashtme”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë se, Kurti, më 22 dhjetor 2022, i ka falënderuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët i mbështetën Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe atë për Pagat në Sektorin Publik.

Kurti kishte thënë se përmes këtyre ligjeve, të cilat janë i njëjti projekt, do të ngritet profesionalizmi në administratën publike.

Ndryshe, kryeministri Kurti, në konferencë për media më 24 dhjetor 2022, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte deklaruar se nga masat e marra në kuadër të përballjes së krizës energjetike, Kosova ka arritur të ulë konsumin e energjisë elektrike mbi 8 për qind krahasuar me vitin 2021.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika