Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në festimin e Ditës së Flamurit të komunitetit ashkali.
Gjatë fjalës së tij, Kurti ka thënë se ishte kënaqësi të marrë pjesë në këtë kremte të komunitetit ashkali, i cili me tradita dhe kulturë është vlerë e shtuar dhe kontribuues i vlefshëm për shoqërinë dhe për shtetin e Kosovës.
“Qeveria jonë është e përkushtuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim për asnjërin prej tyre. Andaj kemi arritur dialogun me komunitetet joshumicë ta ngrisim në nivele të papara më herët, si qytetarë dhe pjesëmarrës të barabartë të vendit tonë”, është shprehur Kurti, njofton Zyra e Kryeministrit.
Tutje, në fjalën e tij, kryeministri ka veçuar nismat që kanë përfunduar në të mirë të komuniteteve, duke theksuar se janë edhe një sërë nismash të tjera nga Qeveria e Kosovës, nga të cilat, sipas tij, përfitojnë drejtpërdrejt komunitetet, duke ndihmuar me integrim, duke rritur pjesëmarrjen ekonomike dhe sociale e duke ndërtuar aftësi udhëheqëse.
Më tej, ai ka thënë se të gjithë para se të jenë anëtarë të një komuniteti, janë pjesëtarë të shoqërisë dhe qytetarë të Republikës.
“Për të arritur progres shoqëror është i domosdoshëm progresi i vazhdueshëm i të gjithë qytetarëve, duke ua hapur rrugët e lirive e mundësive”, ka thënë ai.
Gjithashtu, kryeministri ka shprehur mirënjohje ndaj partnerëve ndërkombëtarë, organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut për punën, angazhimin e palodhshëm dhe kontributin shumë të çmuar për komunitetet.