Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.
Kjo është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës për Portalin Dukagjini, duke mos dhënë më shumë detaje.
Tirana pritet të presë takimin e radhës të nivelit të lartë të Procesit të Berlinit, i pari që mbahet jashtë një vendi të Bashkimit Evropian.
E lindur në vitin 2014, si një propozim i kancelares së atëhershme gjermane Angela Merkel për të përshpejtuar integrimin evropian të vendeve të Ballkanit, nisma ka meritën që arriti të ulë rreth së njëjtës tryezë udhëheqësit e vendeve të rajonit.
Në harkun e 9 viteve, Procesi i Berlinit njohu ulje-ngritje, ndërsa rrethi i vendeve anëtare që iu bashkuan, erdhi duke u zgjeruar.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, që në fillimet e detyrës së tij, premtoi rigjallërimin e kësaj nisme. Ndërsa agresioni rus në Ukrainë çoi në një qasje më aktive edhe të vetë BE-së ndaj rajonit.
Takimi i nivelit të lartë BE- Ballkani Perëndimor, i mbajtur në Tiranë, dhjetorin e kaluar bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të integrimit.