Në një konferencë me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shprehur mirënjohjen për shtetin fqinj, me të cilin, tha se e kanë rritur bashkëpunimin.
Kurti tha se Kosova do të jetë përjetësisht mirënjohëse për Malin e Zi, për shkak të ndihmës që ky shtet ua ka dhënë qytetarëve të Kosovës gjatë viteve 1998-1999, ku një numër i madh u dëbua nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
“Sot punojmë ngushtë si dy vende fqinje për të promovuar paqe sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë. Përpos raporteve ndërshtetore, kemi ndërtuar edhe raporte të mira ndërnjerëzore. Jemi mirënjohës që në kohërat më të vështira, Mali i Zi u bë strehë shpëtimi për mbi 100 mijë shqiptarë të Kosovës, që u dëbuan nga fushata e spastrimit etnik dhe gjenocidit dhe regjimi i Millosheviqit në vitet 98-99. Qytetet si Rolzhaja, Ulqini, Plava dhe Gucia, e hapën zemrën e u përkujdesën, duke i strehuar në shtëpitë e tyre dhe në tendat që u ngritën atje për refugjatët nga Kosova”, tha Kurti.
Kurti theksoi se qytetarët e Kosovës, sot “qytetarët e Kosovës janë jo vetëm pushues, e vizitor në bregdetin e Malit të Zi, por edhe investitorë që i kontribuojnë ndërlidhjes ekonomike mes dy vendeve”.
Sipas tij, në vitin e fundit është rritur shkëmbimi tregtar në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
“Në vitet e fundit kemi rritje të shkëmbimit tregtar me Malin e Zi, krahasuar me vitin 2021, në vitin 2022 eksportet e Kosovës janë rritur për 55%, gjatë vitit 2022, mbi gjysmë milion hyrje-dalje të qytetarëve janë regjistruar në pikat kufitare me Malin e Zi, pa llogaritur hyrjet nga Shqipëria, që një pjesë e qytetarëve shkojnë nga Shqipëria”, tha Kurti.
Po ashtu, Kurti tha se e gëzon fakti që Mali i Zi i ka ratifikuar tri marrëveshjet e mobilitetit në tregun e përbashkët rajonal, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ai foli edhe për marrëveshjen për shërbime ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi, për të cilën tha se do ta mundësojë shkurtimin e rrugës ajrore për 15 minuta, që sipas tij do t’i ulë edhe kostot e fluturimeve dhe do të ndikojë ne çmimet e biletave.