Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se një ndër prioritetet e qeverisë së tij është përmirësimi i gjendjes së shqiptarëve në Serbi, respketivisht në Luginën e Preshevës.
Ai ka theksuar se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë gjetur një aleat të fortë në Kosovë, një Qeveri që kujdeset për ta.
Kjo vjen në një kohë kur shteti serb duket se i injoron dhe i diskriminon qëllimshëm.
Ai ka thënë se ndryshimi i qëndrimit ndaj shqiptarëve në Serbi është thelbësor, pasi shteti serb synon një Serbi pa shqiptarë.
Kryeministri Kurti vazhdon të përshkruajë disa hapa të rëndësishëm që janë ndërmarrë për të mbështetur komunitetin shqiptar në këtë zonë.
Në veçanti, ai thekson se për herë të parë që prej pavarësisë së Kosovës, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt mbështetjes financiare të qëndrueshme për komunitetin shqiptar në Serbi.
Kurti gjithashtu ka theksuar se gjatë qeverisjes së tij janë ndarë mbi “dy milionë euro mbështetje financiare për Luginën e Preshevës, pa llogaritur mbështetjen prej gjysmë milioni euro përballjen e pandemisë Covid-19 në tre komunat me shumicë shqiptare në vitin 2020. Gjatë vërshimeve të vitit 2021, janë ndarë edhe 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve”.
Në fushën e arsimit, kryeministri shprehet se “janë siguruar tekstet mësimore në gjuhën shqipe për katër mijë nxënës të shkollës fillore dhe 950 parashkollorë. Po ashtu, janë financuar bursa studimi për 107 studentë shqiptarë, duke ulur pragun e dëshmisë për qarkullim financiar për ata që studiojnë në Kosovë nga 2500 euro në vetëm 500 euro”.
Në lidhje me të drejtën e pronësisë, është theksuar se me “rregulloren e re të Ministrisë së Drejtësisë për Procedurën e Përcaktimit dhe Verifikimit të Reciprocitetit, shqiptarët e Luginës së Preshevës do të mund të realizojnë të drejtat e pronësisë mbi pronat e paluajtshme në Kosovë”.
Kryeministri gjithashtu ka bërë të ditur se janë “nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar për përkrahjen financiare të projekteve që promovojnë dhe ruajnë të drejtat dhe kulturën shqiptare. Përmes këtij bashkëpunimi, janë mbështetur 75 projekte dhe nisma të ndryshme”.
Në fushën e diplomacisë, Kurti ka theksuar se çështja e shqiptarëve në Serbi dhe diskriminimi shtetëror janë ngritur si temë diskutimi në Senatin Amerikan.
“Seancës dëgjimore në Senat të muajit maj, i parapriu vizita e delegacionit të përfaqësuesve shqiptarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe takime me senatorë në mars, vizitë kjo që u mbështet me fonde të ndara nga Qeveria jonë në muajin shkurt. Financiarisht e mbështetëm edhe fushatën avokuese të përfaqësuesve shqiptarë në Parlamentin Evropian, në qershor të këtij viti”, ka thënë ai.
Për të theksuar seriozitetin e përkushtimit ndaj komunitetit shqiptar në Serbi, kryeministri Kurti ka shkruar se “mbështetja financiare për vitin e ardhshëm do të rritet me 50%. Në buxhetin e vitit 2024 janë paraparë tre milionë euro për Luginën e Preshevës, një milion më shumë sesa vitin e kaluar”.