Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e Ditës së Përkujtimit ka nderuar trimat që kanë sakrifikuar jetën për ta mbrojtur lirinë.
“Në Ditën e Përkujtimit nderojmë trimat që kanë sakrifikuar jetën për të mbrojtur lirinë. Ne në Kosovë jemi përjetësisht mirënjohës për mbrojtjen e jetës dhe lirive tona që na kanë dhënë forcat amerikane”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Kurti ka theksuar se kjo mbrojtje është e pranishme sot kur forcat e KFOR-it, siç u shpreh ai, ndihmojnë institucionet e Kosovës ta ruajnë paqen.
Aktualisht, në tri komunat e veriut po protestohet kundër kryetarëve shqiptarë, të cilët i fituan zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Në ato pjesë, përpos Policisë së Kosovës, po qëndrojnë edhe trupat e KFOR-it.
Protestuesit në disa raste kanë tentuar të përplasen me policët e Kosovës, por ata janë kontrolluar mirë nga njësia speciale atje.
Ndryshe, ka pasur sulme të shumta ndaj veturave të mediave, policisë dhe KFOR-it. Në to janë vizatuar simbole fashiste, si dhe disave u janë shpuar edhe gomat.