“Ne duam paqe por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion”, kjo është kundërpërgjigja e kryeministrit Kurti ndaj deklaratave të kerëve shtetërorë të Serbisë.
Kurti ka thënë se presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. “Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së”, ka thënë tutje Kurti.
Kryeministri Kurti ka shtuar se krerët shtetërorë të Serbisë duan një kthim të dyfishtë. Ai ka përfshirë se ata duan kthim në kohën e Milosheviqit e të luftës dhe që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së.
“Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës)”, ka potencuar Kurti.
“Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”, ka theksuar kryeministri Kurti.
Kurti ka shtuar se “tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”.
Kryeministri Kurti ka theksuar se çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.
Tutje Kurti ka shtuar se ministri i Brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia.
“Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”.