Kurti në Dubrovnik: Të zbatohet marrëveshja për normalizim

Kreu i Ekzekutivit, Albin Kurti, ka thënë se vendit “i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje”. Dhe sipas tij, Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë nëse “ekstremistët e dhunshëm” i ndalin trazirat në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që duhet ta zbatojnë, ka deklaruar kryeministri i vendit, Albin Kurti, më 9 qershor, në konferencën “Kroacia Evropiane: retrospektiva dhe perspektiva”, në Dubrovnik.

Kurti ka shtuar se Kosova “duhet të përballet me ekstremistët e dhunshëm, ultranacionalistët, të djathtët që besojnë në ‘botën serbe’ dhe e shikojnë atë me botën ruse… këta janë njerëz që e admirojnë Millosheviqin apo Putinin”, ka theksuar ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), më herët, i kanë bërë thirrje Kurtit që t’i largojë kryetarët e komunave nga objektet komunale në komunat veriore dhe njësitë speciale të policisë, të cilat ndihmuan vendosjen e tyre në ato objekte.

Kryeministri Kurti ka thënë se vendit të tij “i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje”. Ai ka shtuar se ndërkohë, Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë nëse “ekstremistët e dhunshëm” i ndalin trazirat.

“Mendoj se kjo është rruga përpara, së bashku me dialogun intensiv për zbatimin e marrëveshjes, sepse ne kemi një marrëveshje që duhet ta zbatojmë”, ka deklaruar Kurti.

Nëpërmjet postimit në rrjetin social Twitter, Kurti ka thënë se gjatë diskutimit në këtë panel ka deklaruar se Kosova e shikon Kroacinë si shembull të mirë të anëtarësimit në BE dhe NATO.

“Në Dubrovnik fola në panelin “Kroacia Evropiane: Retrospektivë & Prospektivë”. Prezantova progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, thashë se BE-ja mund të reformohet edhe të zgjerohet në të njëjtën kohë dhe ne e shikojmë Kroacinë si shembull të mirë të anëtarësimit në BE dhe NATO”, ka shkruar Kurti në Twitter, raporton Dukagjini.

Në mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes së BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, e cila “defacto” do të sillte njohje reciproke, por presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, refuzoi ta nënshkruajë atë.

“Kjo është një arritje e madhe e BE-së. Kemi arritur në një situatë ku Kosova dhe Serbia përfundimisht kanë një marrëveshje për normalizim”, ka shtuar Kurti, ka raportuar REL.

Po ashtu, Kurti ka thënë në Dubrovnik se “Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe se ai iu bashkua dialogut me Serbinë, sepse ishte “organizuar nga Bashkimi Evropian, i cili i lehtëson bisedimet”.

Në trazirat e fundit në Kosovë, në fund të majit, dhjetëra paqeruajtës të NATO-s dhe protestues serbë nga veriu i Kosovës u lënduan.

Trazirat ndodhën pasi autoritetet e Kosovës vendosën kryetarët e komunave, shqiptarë etnikë, në zyrat komunale.

Kryetarët e komunave u zgjodhën në bazë të pjesëmarrjes prej vetëm 3.5 për qind, pasi shumica e serbëve në atë rajon bojkotuan zgjedhjet lokale.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika