Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sonte me familjen e Vasfije Krasniqi Goodman, e cila është një nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Kurti ka thënë se Vasfije Krasniqit ia ka shprehur sërish mirënjohjen për guximin dhe përkushtimin e saj që t’i japë zë së vërtetës.
“Ritheksova mbështetjen e palëkundur për të gjitha të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar kreu i ekzekutivit kosovar.
I pari i qeverisë ka theksuar se përkrahja e pakushtëzuar institucionale dhe shoqërore është e domosdoshme “për të larguar heshtjen që mvesh këtë krim, këtë armë lufte të përdorur nga Serbia”.