Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në festën e organizuar nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë, me rastin e ditës së Pavarësisë së Malit të Zi, ka deklaruar se integrimi e orientimi në strukturat transatlantike është vlerë, synim dhe angazhim i të dyja vendeve.
“Shpallja e pavarësisë nga Mali i Zi ishte realizim i aspiratës së popullit të saj për një shtet të pavarur e sovran, të lirë e demokratik e të integruar në strukturat euroatlantike”, ka thënë tutje ai.
Po ashtu, Kurti ka thënë se Kosova dhe Mali i Zi kanë bashkëpunim dhe marrëdhënie shumë të mira dhe se integrimi e orientimi në strukturat transatlantike është vlerë, synim e angazhim që ndajmë si dy shtete fqinje.
Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës që në vitin e shpalljes në 2008.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti në fjalën e tij ka thënë se jemi mirënjohës që në kohërat më të vështira, Mali i Zi u bë strehë shpëtimi për mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës dhe nuk harrojmë asnjëherë mikpritjen dhe solidaritetin.