Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën e 30 nëntorit, do të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për “masat urgjente” të Qeverisë së Kosovës, në raport me situatën e krijuar në vend.
Seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të jetë në interpelancë Kurti, do të mbahet në ora 11:30.
“Interpelancë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti për çështjen ‘Masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me situatën e krijuar në vend’”, thuhet në njoftim.
Situata në Veri të vendit ka qenë e tensionuar si rrjedhojë e moszbatimit të marrëveshjes së targave nga ana e Serbisë.
Më 23 nëntor të këtij viti, kryediplomati evropian, Josep Borell, ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave.
Borrell ka bërë të ditur se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm”, ka deklaruar Borrell.