Në mbledhjen e 53-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i këtij subjekti politik dhe njëherësh kryeministri aktual, Albin Kurti ka kërkuar angazhim të shtuar nga të gjithë aktivistët e partisë që drejton.
“Viti 2024 për të gjitha qendrat tona duhet të jetë vit i përgatitjes dhe mobilizimit për zgjedhjet në vitin 2025, me theks të veçantë për nivelin lokal”, ka theksuar ai.
Tutje kryetari i LVV-së ka thënë se ai i cili synon të jetë në krye të komunës nuk mund të jetë kandidat pa e njohur problematikën komplete të komunës ku kandidon.
“Duhet të jemi afër me qytetarin përmes komunikimit dinamik. Shumë nga lajmet e vendimet që merr qeveria jonë nuk paraqiten fare ose në rastin më të mirë paraqiten pjesërisht në pjesën dërrmuese në spektrin mediatik të vendit tonë. Ne nuk e kemi zgjedhur dhe as nuk do të zgjedhim metodat e pararendësve tanë për sponsorizime që në thelb janë fasadë. Ne kemi komunikuar në vazhdimësi me qytetarin. Nuk e kemi ndërprerë asnjëherë komunikimin me ta, prandaj të arriturat e qeverisë, vendimet qe merren, duhen prezantuar te qytetarët nga strukturat e Lëvizjes”, ka thënë Kurti, raporton Rtk.
Ai ka kërkuar identifikimin e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët që të përgatiten programe zgjedhore që përmbushin kërkesat e tyre.
Ai ka lavdëruar punën e kryetarëve komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke ftuar aktivistët e mbarë qendrave të Lëvizjes nëpër Kosovë që t’i kenë model kryetarët në Podujevë, Gjilan e në qendra të tjera ku kjo parti udhëheq.
I pari i VV-së, njëherësh kryeministër i vendit, ka folur edhe për arritjet në Kosovë nën udhëheqjen e partisë së tij. Ai ka thënë se të gjithë duhet të jenë krenarë për sukseset e qeverisë. “Kemi përmbushur një premtim të kamotshëm të partisë sonë -themelimin e Fondit Sovran. Ky fond do t’i forcojë ndërmarrjet publike dhe do të shtojë kapitalin investiv në ekonominë tonë”, ka thënë ai.
Kurti ka folur edhe për buxhetin e vitit 2024.
“Buxheti ka kapur vlerën prej 3 miliardë e 314 milionë euro, që është buxheti më i madh që ka pasur Kosova ndonjëherë. Nga fillimi i mandatit në vitin 2021 buxheti është rritur 35%”, ka thënë Kurti.
Ai tutje ka përmendur fushat e ekonomisë, shëndetësisë, drejtësisë e sundimit të ligjit, arsimit, energjisë e bujqësisë, duke thënë se qeveria nën drejtimin e tij ka arritur suksese te mëdha në të gjitha këto fusha.
Sipas Kurtit, sukseset e qeverisë së tij janë të dukshme.
“Sukseset e Qeverisë janë më të dukshme e më të pranishme. Jemi të pakrahasueshëm me qeveritë paraprake”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit gjatë fjalës së tij kritikoi mediat, pasi sipas tij, shumë nga vendimet që i merr qeveria të cilën e udhëheq ai “nuk paraqiten fare apo në rastin më të mirë paraqiten pjesërisht në pjesën dërmuese të spektrit mediatik në vendin tonë”.
“Ne nuk kemi zgjedhur e as nuk do t’i zgjedhim metodat e pararendësve tanë për sponsorime që në thelb janë fasadë. Ne kemi komunikuar në vazhdimësi me qytetarë, s’e kemi ndërprerë asnjëherë komunikimin me ta. Prandaj, të arriturat e qeverisë, vendimet që merren, duhet të paraqiten e shpjeguar për qytetarët nga strukturat e Lëvizjes. Vetëm kësisoj informacioni është objektiv, i drejt dhe i padevijuar”, ka theksuar ai.
Ndryshe, të mërkurën, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë buxhetin për vitin 2024.
Nga 64 deputetë që morën pjesë në votim, 63 ishin për, një abstenoi dhe asnjë kundër.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ishte i vetmi që abstenoi.
Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 3.3 miliardë euro.
Pas miratimit, reagoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ky buxhet është 35% më i lartë sesa buxheti që e kanë gjetur në vitin e parë qeverisës.