Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, ka thënë se është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës, siç thotë ai bie mbi supet e viktimave, “kryesisht gra dhe vajza”.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka kërkuar edhe dorëheqje të tjera në lidhje me këtë rast.
“Nuk mjaftojnë dy dorëheqje”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se janë shkarkuar zyrtarë të lartë, drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës, ndërsa drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje.
Ai ka përmendur edhe dorëheqjen e drejtorit të Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës, akt të cilin e ka quajtur moral.
“Organet e rendit arritën t’i arrestojnë personat e dyshuar për dhunimin e vajzës 11- vjeçare”, ka vijuar tutje.
Por, Kurti ka pyetur se “ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve?”
Shefi i ekzekutivit ka thënë se gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vjetësh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç.
“Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale, dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve”.
Ai ka thënë se deri më tash Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës janë në heshtje për këtë rast.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se Policia e Kosovës është duke operacionalizuar Policimin në Bashkësi.
“Do të fillojnë shumë shpejt në lagjet e kryeqytetit, për t’u shtrirë më pas në komunat e tjera të Republikës. Kontaktet e afërta të Policisë me qytetarin shtojnë parandalimin e krimeve si dhe ngrisin cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve”.
Sipas tij, aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen.
Për Kurtin, mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme.
“Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve”, ka përfunduar Kurti.
Më 29 gusht, Ekrem Rexhepi bashkë me 4 persona të tjerë, përfshirë vëllain e tij, po dyshohen se për më shumë se 5 orë e kanë dhunuar një fëmijë 11-vjeçar në Prishtinë.
Ata të gjithë janë në paraburgim, derisa për këtë rast deri tani dorëheqje ka dhënë drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti dhe Ali Gashi, drejtor i Drejtoratit për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Ekrem Rexhepi u dënua me burgim me kusht, për shkak se kishte tentuar ta sulmonte motrën dhe vëllain e tij.
RTV Dukagjini e ka siguruar aktgjykimin e datës 01.12.2020 përmes Ligjit për qasje në dokumente publike, e i cili është i redaktuar.