Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka bërë homazhe në masakrën e Mejës, ka kërkuar mbështetjen e ndërkombëtarëve për trajtimin e krimeve të cilat u kryen nga regjimi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai ka thënë se në këtë ditë zemërimi i familjarëve është më i madh sesa pikëllimi, pasi 24 vjet pas kësaj masakre ende nuk ka drejtësi.
“Kërkojmë mbështetjen ndërkombëtare për këto krime të pazbardhura e të patrajtuara që kërkojnë përgjigje sa më parë për shkak se ankthi është më i madh se pikëllimi dhe zemërimi është më i madh sesa vajtimi në këtë vend”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se nga ana e Qeverisë së Kosovës janë bërë hapa të rëndësishëm drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë.
“Dje e bëmë aderimin në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe në Kuvend të Republikës do të ratifikohet në mënyrë që në këtë organizatë të rëndësishme të bëjmë hapa drejt fatit të të pagjeturve që u zhdukën me dhunë, duk kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë”, ka vijuar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se në vitet e kaluara në Policinë e Kosovës ka qenë vetëm një sektor për krime të rënda, teksa tash është shtuar një drejtori e veçantë në Policinë e Kosovës që të hulumtojë dhe të adresojë kryerjen e krimeve gjatë luftës dhe duke kapur kriminelët.
“Kemi shtuar buxhetin për prokurorinë, gjashtë bashkëpunëtorë profesionistë, dy përkthyes, katër prokurorë. Vitet e kaluara në Policinë e Kosovës ka qenë vetëm një sektor i krimeve të rënda, tashmë e kemi bërë një drejtori të veçantë në Policinë e Kosovës që duhet të hulumtojë, adresojë kryerjen e krimeve gjatë luftës dhe duke kapur kriminelët, kemi rritur numrin e zyrtarëve hetues në Policinë e Kosovës”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se koha po kalon dhe dëshmitarët e këtyre ngjarjeve po ndërrojnë jetë, prandaj duhet që sa më shpejt faktet të bëhen evidente dhe drejtësia të gjejë vend.
“Ne i kujtojmë me mall e dhembje si martirë e dëshmorë të kombit tonë, kombëtare për drejtësi tranzicionale. Po kalon koha dhe dëshmitarët e këtyre ngjarjeve po ndërrojnë jetë, faktet dhe evidenca materiale po bëhet gjithmonë më e vështirë konservimi. I shihni varret e myslimanëve e katolikëve bashkë këtu vetëm pse ishin shqiptarë”, ka thënë ndër të tjera ai.
Ndërsa sa i përket hartimit të projektit, saktësisht master-planit për kompleksin memorial “Adem Jashari” dhe të masakrave të tjera, ai ka thënë se Ministria e Kulturës është duke u angazhuar të ndajë mjete në mënyrë që memorialet, lapidarët të jenë në vendin e duhur edhe sa i përket kujtesës kolektive dhe estetike.
“Do ta përfundojmë por janë ekspertët profesionistët që merren me trajtimin adekuat të këtyre lapidarëve. Por gjëja kryesore për trajtimin e krimeve të luftës është drejtësia. Shumë prej tyre që kanë kryer krime në Kosovë janë djem të ri serbë, ushtarë e policë serbë të cilët ende janë gjallë dhe nuk kanë ku të ikin të gjithë”.
Kurti: Pres që më 2 maj të trajtohet me urgjencë çështja e të pagjeturve
Ndërsa sa i përket asaj që ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka ftuar në takim ekipin menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të cilët e kanë refuzuar këtë ftesë, Kurti ka thënë se më 2 maj në bazë të tekstit të marrëveshjes së Brukselit, çështje urgjente është çështja e të pagjeturve ashtu siç ishte premtuar në Ohër më 18 mars.
“Kërkoj që teksti i dakorduar tashmë të shndërrohet në marrëveshje. Sa i përket Kosovës dhe meje është gjithçka e qartë dhe e garantuar, ndërmjetësit duhet të bëjnë presion te Serbia. Këto shenja nuk janë të mira, ne nuk mund të merremi me palën tjetër, duhet ta bëjë Bashkimi Evropian”.