Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, gjatë tubimit elektoral në Mitrovicë ka theksuar se gjatë qeverisjes së tij për afër katër vjet janë asfaltuar 65 kilometra rrugë në veri dhe 100 kilometra tjera janë në proces.
Kurti ka shtuar se vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 300 biznese të reja dhe qindra qytetarë janë punësuar.
“Gjatë këtyre më së paku 4 vite, 65 km rrugë të asfaltuara janë shtruar në veri edhe 100km tjera rrugë shtesë janë në proces e sipër. Në veri të Ibrit janë regjistruar vetëm në vitin që lamë pas 300 biznese ë tjera dhe qindra qytetarë janë punësuar. Kush integrohet përfiton, kush e respekton ligjin e mbështet Qeveria. Për këto 4 vite Qeverisë tonë e tuajën ne i kemi shtuar gati dyfishë vende punë sesa këta të tjerët para nesh për 8 vite. Për çdo vit të qeverisjes sonë ia kemi shtuar ekonomisë nga një miliardë euro, e atyre para neve iu nevojiteshin tre vjet për një milion”, ka deklaruar ai.
Ai gjithashtu ka theksuar se, për sa i përket angazhimit dhe shpejtësisë së zhvillimit, qeveria e tij është më efikase.
“Prandaj për rritje ekonomike jemi tre herë më të shpejtë së ata e për rritje të punësimit gati katër herë më shpejt se ata. Ne punojmë më shumë, sepse ne punojmë shumë. Ne ecim më shpejt sepse ne ecim shpejt, ne jemi në lëvizje andaj zemra jonë rreh fort dhe pulsin në këtë fushatë e kemi 118. 500 mijë zemra te ky numri 118 janë zgjidhja e vërtetë janë fitorja cep më cep”, ka deklaruar Kurti në tubimin elektoral në Mitrovicë.