“Jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka deklaruar kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti para takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Ohër të Maqedonisë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai tutje është shprehur se në Ohër është për marrëveshje e jo vetëm për bisedime sa për të biseduar.
“Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë me marrëveshje…Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se akoma nuk ka një tekst përfundimtar të marrëveshjes.
“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit, sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve, nuk mund të ketë marrëveshje.”, ka deklaruar ai.
Takimi i shumëpërfolur i nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të zhvillohet sot, e shtunë, në Ohër të Maqedonisë.
Që të dy protagonistët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim dhe të njëjtit pritet të zhvillojnë takime individuale me ndërmjetësuesit.
Pjesë e takimit do të jetë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit.
Lajmi në përditësim…