Kryeministri Albin Kurti, në prag të nisjes së Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ka theksuar se prioritet i takimeve bilaterale do të jetë siguria e Kosovës dhe mosshkelja e marrëveshjeve nga ana e Serbisë.
“Natyrisht që për neve prioritet është siguria e Kosovës, e kufijve të saj. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi vjen së pari prej zbatimit e mosshkeljes së marrëveshjes bazë e së dyti nëpërmjet sigurisë ligjore, që kjo marrëveshje nuk do të shkelet e unë besoj se garancë për këtë është pikërisht nënshkrimi i saj”, ka thënë Kurti për RTK-në.
Tutje, i pari i ekzekutivit kosovar ka konfirmuar se do të ketë takim me zyrtarin e lartë nga Departamenti i Shtetit Amerikan, James O’Brain.
“Ka mundësi që me presidentin e Serbisë do të jem në një panel, ndërkaq nesër do të kem takim me zyrtarin e lartë nga Departamenti i Shtetit Amerikan, James O’Brain, i cili e njeh Kosovën që prej tri dekadash”, ka deklaruar ai, transmeton RTKlive.
Kurti ka thënë se, gjithashtu, Forumin Ekonomik Botëror do ta shfrytëzojnë si mundësi për thirrje të investitorëve në Kosovë.
“Ende nuk janë konfirmuar të gjithë pjesëmarrësit, do të kem disa takime bilaterale, disa intervista për media të huaja dhe njëkohësisht do të kem disa takime me drejtues koorporatash që t’i ftojmë të vijnë e të investojnë në Kosovë, në veçanti në fushën e energjisë së ripërtërishme”, ka thënë Kurti./RTK