Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Shtutgart ka takuar drejtuesit e ndërmarrjeve Bosch, Datagroup SE dhe Zeiss.
Në këto takime kryeministri Kurti ka theksuar mundësitë për investime dhe mjedisin e favorshëm në Kosovë, pozitën gjeografike dhe stabilitetin institucional.
“Ai tha se ndikimi i stabilitetit politik vërehet edhe në Investimet e Huaja Direkte, të cilat u rritën me 22%, ndërsa me agjendën ambicioze legjislative të Qeverisë, presim rritje të mëtejme në të ardhmen e afërt”, njofton Zyra e Kryeministrisë.
Tutje në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se kryeminsitri Kurti ka theksuar mbështetjen e Qeverisë për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së teknologjisë së informacionit në vend nëpërmjet një agjende digjitale gjithëpërfshirëse.
“Ardhja e kompanive të mëdha globale si Bosch në Kosovë do të ndihmonte sektorin vendor në rritjen e standardeve të punës, cilësisë si dhe konkurrencës brenda sektorëve, u tha në takimin me znj. Tanja Rückert nga kompania Bosch. U diskutua edhe nisma e Qeverisë për mbylljen e hendekut të shkathtësive nëpërmjet arsimit dual”, vijon njoftimi.
Në këtë takim u potencua se Kosova është lokacion i favorshëm për mbështetjen e zinxhirëve ekzistues të furnizimit dhe një alternativë e re e për investime në arsim, veçanërisht në atë digjital.
Po ashtu, u riktheksua se synimi i Qeverisë së Kosovës është përmirësimi i mundësive dhe cilësisë së jetës për të rinjtë, nëpërmjet lehtësimit të të bërit biznes në Kosovë dhe mbështetjes së investitorëve.
“Qëndrimin dyditor në Shtutgart të Gjermanisë dje e fillova me pjesëmarrjen në ceremoninë hapëse të Forumit Ekonomik “Global Connect 2022”. Aty përveç prezantimit tim për progresin e shënuar në vend dhe prioritetet e Qeverisë, pata kënaqësinë ta vizitoj edhe shtadin e Republikës së Kosovës në këtë forum”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti ka shtuar se “në ditën e dytë të vizitës sime në Shtutgart, takova drejtuesit e ndërmarrjeve Bosch, Datagroup SE dhe Zeiss. Theksova mundësitë dhe mjedisin e favorshëm për investime në Kosovë, pozitën gjeografike dhe stabilitetin institucional”.