Në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë këtë të hënë në një panel diskutimi me liderë të rajonit.
Gjithashtu, kryeministri Kurti do të zhvillojë disa takime bilaterale.
Të dielën (dje), Kurti ka deklaruar se ka marrë mesazhe inkurajuese nga homologu i tij slloven, Robert Golob, mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe mundësitë e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim.
“Mesazhe inkurajuese nga kryeministri slloven, Robert Golob, mbi zgjerimin e BE-së dhe mundësitë për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për të përkrahur procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian për rajonin dhe ka insistuar në nevojën për respektimin e vlerave dhe njohjen reciproke si parakusht për këtë zhvillim.
Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e ka komentuar takimin duke e quajtur “mbledhje të madhe me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor”
“Ne duhet të mendojmë jashtë kornizave dhe të përshpejtojmë procesin e zgjerimit. Procesi i bazuar në vlerë na bashkon. Sllovenia do të vazhdojë të punojë shumë për ta sjellë Ballkanin Perëndimor më afër Bashkimit Evropian”, ka shkruar Fajon.
Në këtë takim, prezent ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq dhe përfaqësues të tjerë.
Encouraging messages from 🇸🇮 Prime Minister Robert Golob on EU enlargement and opportunities for the Western Balkans @BledStratForum.
I echoed the call for a values-based approach to EU membership, focused on respect for minorities, and with mutual recognition as a precondition. pic.twitter.com/tgDWdASYP9— Albin Kurti (@albinkurti) August 27, 2023