Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, që shoqërohej nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës, Nicholas Abbott.
Në takimin e parë në këtë vit, kryeministri Kurti dhe Lord Peach diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mundësitë e reja përgjatë vitit 2023.
Po ashtu, sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe rëndësinë e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Republikën e Kosovës, sidomos në fushën e sigurisë.
Ndër të tjera, Zyra e Kryeministrit bën të ditur se në takim është diskutuar edhe për sfidat me të cilat po përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor, “rrezikun që paraqet për sigurinë dhe progresin ndikimi i Rusisë dhe rolin e rëndësishëm të NATO-s në parandalimin dhe sprapsjen e synimeve të Moskës për rajonin tonë”.
Ndërkaq, kryeministri Kurti ka thënë se në Kosovë ka progres demokratik, ligjor, ekonomik dhe social, që duhet të mbrohet, bashkë me partnerë dhe aleatë.
Ai po ashtu shprehu falënderimin e tij për angazhimin aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në proceset integruese të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, gjatë ditës së enjte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me të dërguarin e posaçëm të MB-së për Ballkanin Perëndimor, Peach, ka kërkuar përfshirje më të madhe të Britanisë së Madhe si “një anëtare kyçe e NATO-s dhe një partnere historike e Kosovës”.