Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e radhës në Bruksel, të cilin BE-ja e ka paralajmëruar për këtë javë.
Ai ka njoftuar se të enjten do të niset drejt Brukselit, ku do të mbahet takimi i thirrur nga përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Po ashtu, ai ka theksuar se gjatë takimit do të insistojë për lirimin urgjent, pa kushte, të tre policëve të mbajtur peng nga Serbia, si dhe për deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.
“Përcaktoj itinerarin tim për të shkuar në Bruksel nga Roma nesër, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga HR/VP Borrell. Do të insistojë për lirimin urgjent, pa kushte, të 3 policëve të mbajtur peng nga Serbia, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Njoftimi i kryeministrit Kurti vjen në të njëjtën kohë pasi i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se takimi në Bruksel nuk pritet të ndodhë këtë javë.
Kujtojmë se që nga fundi i majit, tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.
Kryetarët e rinj u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në tri komunat veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në përleshje mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Situata mes Kosovës dhe Serbisë është përkeqësuar më 14 qershor, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.
Serbia ka thënë se ata “u arrestuan thellë brenda territorit të saj”, por Kosova ka njoftuar se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë pa kushte policët. Ndërkaq, BE-ja dhe SHBA-ja i kanë paraqitur tri kërkesa autoriteteve në Kosovë për shtensionimin e situatës. Por, kryeministri Kurti është përgjigjur duke paraqitur një plan të tij pesëpikësh.