Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka njoftuar se është takuar me Nënën Ferdonije në shtëpinë-muze të familjes Qerkezi.
“Jeton mes kujtimeve, në shtëpinë nga e cila më 27 mars 1999, forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen katër djemtë Artanin, Armendin, Ardianin e Edmondin, dhe bashkëshortin Halimin. Nga aty u rrëmbye edhe nipi i saj Vegim Qerkezi, miku i shtëpisë Shpejtim Ymeraga, si dhe fqinjët Skender Dylhasi me djalin Myrteza, dhe dy djemtë e familjes Jetishi, Shpendi e Fatosi”, ka thënë kryeministri Kurti për Nënën Ferdonije.
Kurti ka shtuar se nga rruga “Martirët Qerkezi” në Gjakovë, kanë shkuar në Dardaninë e Pejës. Ai ka thënë se në këtë lagje, më 27 mars 1999, forcat serbe kanë masakruar 40 civilë shqiptar, duke theksuar se kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule për të vrarët.
“Këto vrasje dhe zhdukje me dhunë gjatë luftës ishin pjesë e “Patkoit”, projektit serbomadh për shfarosjen e popullsisë shqiptare në Kosovë. Këto krime janë dëshmia e madhe e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, ka thënë tutje Kurti.