Kryeministri Albin Kurti, në forumin Ekonomik të Vjenës në Austri, ka kërkuar që t’i bëhet Serbisë më shumë presion për nënshkrimin e Marrëveshjes, për të cilën, janë pajtuar në Bruksel më 27 shkurt.
Kurti ka thënë se në Bruksel është arritur Marrëveshja Bazike për njohjen defacto mes Kosovës e Serbisë dhe nënshkrimi i kësaj është hapi i parë drejt normalizimit.
“Kemi pasur sulme kundër ushtarëve të KFOR-it, policëve tanë dhe gazetarëve, pastaj rrëmbimi i policëve dhe në fund vrasja e policit kosovar në Banjskë nga sulmi terrorist. Eskalimi ka ndodhur se përkundër marrëveshjeve gojore nuk ishte nënshkruar asgjë, madje as në margjinat e këshillit të Evropës. Serbia është fqinji ynë më i madh, Serbia është fqinji ynë më i madh, kufiri është rreth 300 kilometër, kjo përbën rrezik për sigurinë, duhet më shumë presion ndaj Beogradit për marrëveshje.
Ne kemi nevojë për më shumë presion ndaj Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen dhe gjithashtu nevojitet integrimi në BE, sepse rajoni ynë nuk mund të integrohet jashtë BE-së ose pa BE-në. Nënshkrimi i njohjes reciproke defacto është hapi i parë, por njëkohësisht edhe më i rëndësishmi”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, Procesi i Berlini është rruga e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në BE.
“Ne kemi nënshkruar katër Marrëveshje në vitin e kaluar, në kuadër të Procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit është rruga paraparë për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për integrim”, ka shtuar Kurti.