Ditën e dytë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka filluar me drejtuesin ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre dhe ish-kongresistin amerikan, Theodore Deutch.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, me Deutch, kryeministri Kurti ka diskutuar për arritjet kryesore të Qeverisë në këto dy vjet.
Po ashtu, në njoftim thuhet se gjatë takimit është diskutuar edhe për progresin ekonomik dhe demokratik, suksesin në luftimin e krimit dhe korrupsionit, përmirësimin në raportet ndërkombëtare dhe reformat në drejtësi dhe sundim të ligjit.
“Në këtë kontekst, ai shtoi se Kosova ofron mundësi dhe mjedis të favorshëm për investitorë të huaj, duke ftuar kështu kompanitë izraelite që të eksplorojnë mundësitë për investime në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Deutch e ka uruar kryeministrin Kurti dhe popullin e Kosovës për 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Sipas njoftimit, ai është shprehur mirënjohës për marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Si Komitet, ish-kongresisti amerikan ka deklaruar se mbështesin Kosovën në synimet e saj dhe se janë të gatshëm e të vullnetshëm për bashkëpunim.
Gjithashtu, Kurti këtë të diel duke i renditur të gjitha takimet që ka zhvilluar ditën e parë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka thënë se do të ketë edhe takime të tjera të rëndësishme gjatë ditës së dytë të konferencës.
Kujtojmë se, Kurti ka zhvilluar disa takime në kuadër të Konferencës së Mynihut, ai është takuar me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, e po ashtu edhe me kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz.
Propozimi franko-gjerman ka qenë ndër temat kyçe që kryeministri Albin Kurti ka diskutuar të shtunën në Mynih me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Shcolz.
Këto takime po konsiderohen si përgatitje e takimit të nivelit të lartë ndërmjet Kurtit dhe presidentit serb, Vuçiqit, që është planifikuar për datën 27 shkurt në Bruksel.
Në takim me Borrell e Lajçak është diskutuar për procesin e dialogut e propozimin evropian dhe për takimin e radhës së nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që u caktua të mbahet më 27 shkurt në Bruksel.
Kurti është takuar edhe me senatorin amerikan, Bob Menendez, njëherësh kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë. Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe fuqizimin e mëtejmë të tij.
I pari i Qeverisë ka takuar edhe dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen.
Siç njofton ZKM, në këtë takim është diskutuar për situatën e sigurisë në rajon dhe për zhvillimet e fundit. Lidhur me dialogun për normalizim me Serbinë dhe propozimin evropian, Kurti ka thënë se Kosova do të ketë angazhim konstruktiv dhe të vazhdueshëm në këtë proces.
Kryeministri Kurti i ka falendëruar senatorët Shaheen dhe Van Hollen për ndihmën, mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm të tyre dhe të ShBA-ve për Kosovën.