Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se historia do të merrte kahje tjetër, sikur Serbia të mos vendoste të kryente krime gjenocidale në Kosovë.
Sipas kryeministrit të Kosovës, krimet serbe në Kosovë nuk duhet të harrohen asnjëherë.
Kurti, në konferencën e Lidershipit në Ballkan “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Federata Universale e Paqes, theksoi se nga Serbia duhet të pranohen krimet që i kanë bërë në Kosovë, në mënyrë që të mund të normalizohen raportet.
“Gjithçka do të kishte rrjedh tjetër sikur kreu politik dhe ushtarako policor i Beogradit të mos impononte politikën agresive e gjenocidale ndaj shqiptarëve. Për pasojë ndodhi krimi i vazhdueshëm i Serbisë që dëmtoi të dy popujt dhe shkaktoi tragjedinë e katastrofën humanitare, të cilën duhet kurrë të mos e harrojmë, por të kërkojmë që të vendoset drejtësia e të bëhet kërkim-falja e pranimi i krimit, në mënyrë që të arrihet pajtimi”, tha Kurti.
Më tej, në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se njerëzit që jetojnë në Kosovë, kanë dëshirë të madhe për siguri, zhvillim të drejtë e gjithëpërfshirës, por sipas tij, “konteksti gjeopolitik” nuk është edhe aq premtues për një paqe të vërtetë.
“Ëndrrat më të mira për paqe të drejtë, të qëndrueshme e të pacenueshme shihen atje kur janë përjetuar ankthet e paharrueshme të luftës. Njerëzit tanë janë të etur dhe të dëshiruar për siguri dhe zhvillim të drejtë e gjithëpërfshirës, por koha që po jetojmë dhe konteksti gjeopolitik, gjeokonomik e gjeostrategjik rreth nesh dhe drejt nesh, duhet se nuk janë aq mirë e premtues për një paqe të vërtetë, të drejtë e të qëndrueshme”, ka deklaruar Kurti.
“Paqen e brishtë aktuale dhe paqen e qëndrueshme perspektive, e rrezikojnë edhe sot tendencat për konflikt të ngrirë, tendencat për bllokim të gjithanshëm të proceseve të normalizimit, zhvillimit, demokratizimit, afrimit, bashkëpunimit e integrimit si brenda secilit vend ashtu edhe në dimensione euroatlantike e globale, e gjithë kjo për ndërmarrje revanshiste e prapakthyese”, vijoi ai
Kjo konferencë organizohet nga Federata Universale e Paqes (UPF), në partneritet me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, Washington Times Foundation, Shoqatën Ndërkombëtare të Mediave për Paqe (IMAP), dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Rinisë dhe Studentëve për Paqe (IAYSP).
Kurti: Kosova ka shënuar dyfishim të rritjes ekonomike
Kryeministri Kurti, u shpreh se Kosova tregon shembullin më të mirë që ekonomia dhe demokracia shkojnë bashkë. Sipas tij, pas ardhjes në pushtet të partisë së tij, ka pasur dyfishim të rritjes ekonomike.
“Kosova është shembull, i mirë për të gjithë të tjerët që ekonomia dhe demokracia shkojnë bashkë. Pas ndryshimeve të mëdha demokratike plebishtiare të shkurtit të vitit të kaluar, kemi shënuar rritje dyfishore ekonomike, për herë të parë në Kosovën e pasluftës”, ka thënë ai.
“Janë shtuar investimet e huaja për 22%, janë shtuar të hyrat tatimore për 34%, janë shtuar eksportet për 83%. Demokracia cilësore dhe zhvillimi ekonomik shkojnë bashkë. Kjo është dëshmi, për ata të që besojnë se zhvillimi ekonomik e ka më shumë në qef sistemin autorkatik, e kanë gabim”, ka vijuar Kurti.
Sipas kryeministrit të Kosovës, paqja arrihet duke i parandaluar konfliktet e reja dhe duke i evituar ato të vjetrat.