Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk ka pasur mundësi ta dëgjoj fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili në Asamblenë e Këshillit të Evropës, e kritikoi BE-në për formimin e Gjykatës Speciale.
I pytetur për qëndrimin e tij ndaj dhomave të specializuara me seli në Hagë, Kurti tha se qëndrimi i tij është i njëjtë me atë të vitit 2015, kur ishte votuar Gjykata Speciale në Kuvendin e Kosovës.
Ai e kritikoi, këtë institucion për mugnesë të transparencës dhe për mungesën e caktimit të datës për gjykim.
“Sa i përket dhomave të specializuara, brengën e shqetësimin tim e kam thënë qysh në pranverën dhe verën e atij vitit 2015 kur u patën përgatitur amendamentimet kushtetuese që në qershor nuk kaluan dhe në gusht u risollën pa u ndryshuar”, ka thënë ai.
Kurti, theksoi, nga bashkësia ndërkombëtare duhet të kërkohet të zbardhen krimet e bëra nga regjimi i Serbisë.
“Nuk kam qëndrime të reja për këtë çështje, mund të them që ato nuk janë karakterizuar nga transparenca dhe gjithashtu së shpejti bëhen dy vjet që kemi mbajtje në paraburgim pa një datë gjykimi. Unë besoj që faktorët ndërkombëtarë duhet të mobilizohen që krimet në Kosovë, që janë kryer nga forcat e Serbisë të ndiqen dhe përgjegjësit e fajtorët të gjykohen dhe dënohen”, ka deklaruar ai.
Kurti, theksoi se primare për Kosovën është të flitet për krimet e Serbisë, e cila ka kryer gjenocid në vitet e 90-ta.
Për Gjykatën Speciale, në Këshillin e Evropës, të mërkurën ka folur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Rama ka deklaruar se ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen të paraburgosur në Hagë, janë aty për shkak të lajmeve të rreme. Rama e përmendi librin e ish-prokurores Carla Del Ponte, në të cilin sipas tij u akuzuan pa të drejtë për trafikim organesh krerët e UÇK-së.
Kryeministri i Shqipërisë po ashtu pati kritika edhe për Këshillin e Evropës, për miratimin e një raporti të tillë, i cili sipas tij është krejtësisht i paargumentuar.
Tutje, për librin e Carla Del Ponte-s, Rama tha se në atë kohë e kishte marrë vëmendjen e njerëzve të presidentit rus, Vladimir Putin. Rama përmendi ish-kryesuesin e delegacionit rus, Konstatin Kosaqev, i cili nën direktivat e Putin-it e kishte paraqitur një mocion apo raport me titull “Trajtim çnjerëzor i njerëzve dhe trafikim i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”. Sipas Ramës, krejtësisht i mbushur me propaganda dhe pa asnjë fakt.