Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish ka refuzuar të flas lidhur me konsultimet për formimin e qeverisë së re, por sipas tij, ekzekutivi i ri do të udhëhiqet sërish nga ai dhe partia e tij – Lëvizja Vetëvendosje.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në koalicion me Guxo dhe Alternativa ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, përsëriti qëndrimin e tij se po presin certifikimin e rezultateve fillimisht, e më pastaj diskutimet për formimin e qeverisë së re.
Lidhur me këtë, Kurti u pyet të hënën pasi mori pjesë në aktivitetin e Agjencisë për Barazi Gjinore, në shënim të 8 marsit – Ditës Ndërkombëtarë të Gruas.
“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet. Qeveria, e sigurt, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe unë”, ka theksuar Kurti shkurtimisht për gazetarët më 10 mars.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, pastaj Lidhja Demokratike të Kosovës, dhe e katërta sipas votave, është radhitur koalicioni AAK-Nisma./KP