Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur sot për intervistim në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Ai ishte ftuar të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka bërë të ditur se Prokuroria është njoftuar nga Kryeministria për arsyet e mungesës së Kryeministrit.
Sipas Kozmaqit, Kurti ndodhet në udhëtim jashtë vendit, gjë që e bën të pamundur që ai të paraqitet në intervistim.
“Sot nga kabineti i kryeministrit Kurtit, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministrit Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do të përgatit një ftesë tjetër për një datë tjetër”, ka theksuar Kozmaqi.
Kozmai është pyetur nga gazetarët se a do të dënohet kryeministri për këtë mosparaqitje.
“Prokuroria Speciale konform ligjeve në fuqi do të bëjë ftesë. Dihet se cilët janë hapat e ardhshëm. Për derisa është udhëtim jashtë vendit, për ne është në rregull”, ka shtuar Kozmaqi.