Pak para fillimit të takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, ata kanë biseduar në lidhje me agjendën dhe pritshmëritë nga takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Gjatë këtij takimi u theksua nevoja e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë për të cilën është dakorduar në Bruksel dhe për aneksin e zbatimin të saj për të cilët palët janë pajtuar më 18 mars në Ohër.
“Ishte një takim miqësor e produktiv, të cilin kryeministri Kurti e filloi duke e falënderuar z. Escobar për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e votimit në fazën e parë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar atë të arritur meritore të Republikës së Kosovës. U diskutua për takimin e sotëm, agjendën dhe pritjet, teksa u theksua nevoja e zbatimit të plotë, në mirëbesim dhe pa kushtëzime të asaj që është dakorduar me 27 shkurt në Marrëveshjen Bazë dhe 18 mars në Planin e Zbatimit.”, thuhet në njoftim.
Ndryshe tashmë ka filluar takimi trepalësh në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.