Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se emisarët e BE-së se kanë pranuar kushtëzimin e Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar atë si një qëndrim të papranueshëm.
Kurti ka shprehur keqardhje për pranimin e këtij kushtëzimi dhe ka theksuar se nuk do të vazhdojë me negociatat për Asociacionin e komunave me shumicë serbe derisa të zbatohet plotësisht marrëveshja që nisi si propozim franko-gjerman.
Ai gjithashtu ka deklaruar se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.
“Unë kam pasur durimin që gjysmë ore ta dëgjoj ekipin menaxhues teksa na e lexon propozimin për një Republikë Serb në Kosovë dhe ajo shkoi. Tash nuk mund të vazhdojnë me Asociacionin derisa të zbatohet plotësisht e më pastaj shohim për këtë marrëveshjen që nisi si propozim franko-gjerman. I tillë është kushtëzimi i Serbisë që u shndërrua fatkeqësisht në qëndrim të emisarëve të BE-së”, ka deklaruar Kurti pas takimit në Bruksel.
Ai para gazetarëve po ashtu ka thënë se u takon ndërmjetësve të tregojnë se si bëhet që Kosova të japë tri propozime e Beogradi asnjë dhe “kur neve na thonë pastaj që ka dhënë edhe Beogradi, iu duhet mbi një orë që ta gjejnë një dokument mbi gjashtë muaj të vjetër”.
Lexo edhe: Kurti thotë se refuzoi kushtëzimet e reja të Serbisë
Po ashtu, ai ka theksuar se këto kushtëzime shkelin Marrëveshjen Bazike.
Në deklaratën e tij, Kurti ka thënë se neni 10 i Marrëveshjes Bazike e bën të qartë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel, dhe nuk mund të pranohet një kusht i vetëm që është i lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai gjithashtu ka shprehur keqardhje për faktin që emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka pranuar këto kushtëzime të Serbisë, gjë që sipas tij, ka cenuar funksionin e tij si lehtësues dhe ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.
“Nuk është marrëveshja e vitit 2013, qartë neni 10 i marrëveshjes bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel të cilat janë të obligueshëm dhe valide, janë 39 sosh gjithsej por nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje të përzgjedhjet vetëm një e tillë, si “qerrja para kuajve” dhe të bëhet edhe thelb edhe parakusht, pra një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar. Është për të ardhur keq që Lajçak ka pranuar një kushtëzim të tillë, dhe kushtëzimin që e ka pranuar nga Serbia e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues edhe ndërmjetësuese por unë nuk do ta pranoja një gjë të tillë duke cenuar asisoj Kosovën, kryeministër i së cilës jam”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se Kosova është gati për dialog, por nuk do të pranojë kushtëzime që shkelin marrëveshjet ekzistuese.
Ndërkaq, Kurti me gazetarët në Bruksel ka ndarë planin “e kushtëzuar të Serbisë” qe sipas tij, BE-ja ia ka paraqitur në takim.
Në platformën X, Kurti ka publikuar planin për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, të cilin e kishte propozuar në Bruksel, e që sipas tij, ky “ishte i vetmi propozim në tryezë”.
This is the sequencing plan for the implementation of the Basic Agreement I proposed today in Brussels. It was the only proposal on the table. pic.twitter.com/Uv3NH6OuTr
— Albin Kurti (@albinkurti) September 14, 2023