Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se pas takimeve me institucionet e sigurisë e përfaqësues të NATO-s, brenda kësaj jave do të dihet për pretendimet se a ka armë të kontrabanduara në kishat ortodokse serbe në Kosovë.
Ai ka theksuar se nuk mund të jepen të dhëna përfundimtare, sepse ende janë duke u mbledhur.
“Do ta kem një takim me përfaqësues të NATO-s dhe me organet e sigurisë për këtë çështje. Do ta takoj komandatin e KFOR-it. Jemi duke grumbulluar të dhëna, nuk mund të jap informacion përfundimtar. Këtë javë do të dihen ato informacione. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për deeskalim. Normalisht që deeskalimi i konvenon Beogradit”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, deputetja e parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, të martën e 4 korrikut ka thënë se në veri të Kosovës kontrabandohen armë që vijnë nga Serbia, dhe sipas saj, kjo bëhej me anë të ambulancave.
Por, KFOR-i në një përgjigje për Dukagjinin ka deklaruar se nuk ka asnjë dëshmi për kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë dhe shfrytëzim të kishave ortodokse për t’i mbajtur ato.
“Ngjarja e përmendur nga deputeti britanik i referohet vitit 2022 kur Batalioni Mbretëror Fusilier u punësua në veri të Kosovës, në mbështetje të misionit të KFOR-it. Prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar. Nuk ka asnjë dëshmi edhe në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca. Për një informim të plotë, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit që është nën përgjegjësinë e Organizatave të Sigurisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Ndërsa, Kearns në Parlamentin e Britanisë së Madhe ka thënë se Qeveria e Britanisë është informuar nga KFOR-i se në veri të Kosovës kontrabandohen armë që vijnë nga Serbia, dhe sipas saj, ato ruhen në kishat ortodokse serbe.
Kearns i ka bërë thirrje Qeverisë së Britanisë që ta bëjnë të qartë përkrahjen për Kosovën dhe sovranitetin e integritetin territorial të saj. Sipas saj, kjo bëhet duke e zgjeruar mandatin e KFOR-it për ta luftuar kontrabandën me armë nga grupet kriminale në veri.
KFOR: S’ka dëshmi për kontrabandimin e armëve nga Serbia në Kosovë