Kryeministri i Kosovës ka thënë se dita kur u votua për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës, ka qenë dita më e tmerrshme për shtetin e Kosovës.
Kurti tha se beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.
“Ne kemi qenë në shërbim të të pandehurve, në pafajësinë e të cilëve unë besoj, lufta çlirimtare ka qenë luftë e drejtë e paqes, luftë që ka qenë nacionalçlirimtare”, ka thënë ai.
I pyetur pse nuk i ka vizituar ish-krerët e UÇK-së, ai ka thënë se nuk beson se një vizitë e tij do t’i ndihmonte.
Më e rëndësishme, sipas tij, është takimi me avokatët e të akuzuarve dhe koordinimi me ta.
“Unë kam konsideruar se vizita ime atje nuk ndihmon. Më shumë ndikon takimi me avokatët sepse jam i interesuar që ata të ndajnë me mua se çka krejt planifikojnë ta bëjnë si mbrojtje, e pastaj të koordinohemi se kurrsesi të mos dëmtohet lufta e UÇK-së”, ka thënë ai.