Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se shefi i zyrës ndërlidhëse, Jetish Jashari ka vizituar veçmas policët e kidnapuar të Policisë së Kosovës nga forcat policore serbe. Siç ka deklaruar Kurti, rrëfimet e tyre ishin identike.
Në një konferencë për media, Kurti ka deklaruar se policët kishin deklaruar se ishin në tryezën e improvizuar të ngrënies kur rreth 15 persona i kishin rrëmbyer.
“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me zyrën ndërlidhëse, me shefin e zyrës, me ambasadorin Jetish Jashari… Ambasadori Jashari sot i ka vizituar tre policët që po mbahen peng nga Serbia, i ka vizituar ndaras, njërin pas tjetrit. Përshkrimi se si janë rrëmbyer i policëve është i njëjtë. Janë tre rrëfime ndaras, identike. Ata kanë qenë duke ngrënë drekë, së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar, rrëmbyer”, ka deklaruar ai.
Kurti ka theksuar se vendi ku ndodhej tryeza e ngrënies ishte rreth 7 metra larg veturës së Policisë së Kosovës.
Tutje, Kurti ka deklaruar se rrëmbimi i policëve ishte zhvilluar me plan gjersa ka ritheksuar se bëhet fjalë për një rrëmbim brenda territorit të Republikës së Kosovës.
“Rrëmbimi është zhvilluar me plan, me njerëz të armatosur që i përkasin dy inormacioneve, atij të njësitit special antiterrorist dhe të formacionit të njësive ushtarake speciale që njihen me emrin “KOBRA”. Ata që pretendojnë që policët janë arrestuar në Serbi duhet të shpjegojnë se si lidhset e tyre të plastikës, si pranga kanë qenë pikërisht në vendin ku kemi njoftuar në konferencën e 15 qershorit…”, ka thënë Kurti.
Ai ka përsëritur kërkesën e tij për lirim të menjëhershëm të tre policëve të kidnapuar gjersa kërkoi edhe nga faktorët ndërkombëtar të dënojnë këtë veprim nga e Serbisë.
Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar në zonën kufitare në veri të Kosovës, ka njoftuar Policia e Kosovës, më 14 qershor.