Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) do t’i adresojnë me shumë seriozitet.
Kreu i Qeverisë ka thënë se Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, ndonëse ky raport e vlerëson të kundërtën.
“Ne bëjmë maksimumin e mundshëm, nuk e kursejmë as vullnetin, as përpjekjen e as dijen që e kemi. Gjatë këtyre dy viteve, Kosova ka shënuar përparime të mëdha, a jemi aty ku duam, ende jo. Mirëpo të gjitha ministritë, teksa shënojmë këtë javë dy vjetorin në qeverisje, e bëjnë më të mirën e mundshme. Edhe vërejtjet, kritikat të cilat na jepen do t’i marrim me shumë seriozitet e do t’i trajtojmë me përpikëri”, ka thënë ai.
Kurti ka folur edhe për marrëveshjen në Ohër teksa ka theksuar se presidenti Vuçiq e ka refuzuar marrëveshjen në Bruksel e Ohër.
Në këtë marrëveshje, Kurti ka thënë se duhet të jetë edhe zbardhja e fatit të të pagjeturve.
“Me datën 18 gusht të vitit të kaluar e kemi pasur marrëveshjen, por ka refuzuar ta nënshkruajë presidenti i Serbisë, siç refuzoi edhe më 27 shkurt në Bruksel, siç refuzoi edhe më 18 mars në Ohër. Teksti është i dakorduar qysh me 18 gusht të vitit të kaluar dhe unë besoj që ai dakordim porsa të bëhet marrëveshje ndihmon shumë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, e sigurisht që është i nevojshëm edhe drejtësia për viktimat. Në këtë rast viktimat nuk janë vetëm të zhdukurit me dhunë por viktima janë edhe familjet e tyre dhe shoqëria në përgjithësi”, ka thënë ai.
Ndryshe, të hënën e 20 marsit, në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut në pjesën për Kosovën thuhet se probleme kryesore janë korrupsioni serioz qeveritar dhe mungesa e hetimeve dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore.
DASh: Korrupsioni qeveritar dhe dhuna me bazë gjinore, ndër problemet kyçe në Kosovë