Si keni kaluar? Përgjithësisht mirë….
Me humor të mirë është kthyer në Kosovë kryeministri Albin Kurti por një ditë pas nuk ka dashur shumë të flas për vendimin e tij të një dite më parë që të vendos kushte para se ta takojë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Por, veprimet e tij në Bruksel po vlerësohen të pritshme e për poena politik.
Takimi trepalësh i thirrur nga Bashkimi Evropian nuk u zhvillua në momente të fundit, meqë Kurti para ndërmjetësve evropianë paraqiti disa kërkesa para se ta takonte Vuçiqin, ndër to edhe ekstradimin e Milan Radoiciqit e grupit të udhëhequr nga ai përgjegjës për sulmin e Banjskës.
“Është taktizim i radhës i kryeministrit Kurti për konsum të brendshëm. Nuk është hera e parë që kryeministri Kurti vendos kushte dhe pastaj i shkel. Ato kushte ka mundur t’i paraqesë edhe nga Kosova. Është taktizim për qëllime të brendshme elektorale”, ka thënë deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
Sipas Belgzim Kamberit, nga Instituti “Musine Kokalari”, një gjë e tillë ishte e pritshme dhe gjasat që marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve, të nisë së zbatuari janë minimale.
“Tash është pak e vështirë që të kemi zbatim të marrëveshjes duke marr parasysh edhe kalendarin në të cilin jemi, në njërën anë institucionet evropiane janë në rindërtim e sipër pas zgjedhjeve ndërsa SHBA është në prag të zgjedhjeve e edhe Kosova me shumë gjasë do të ketë zgjedhje, dhe në këtë drejtim ka pak mundësi edhe pse është paralajmëruar një takim i radhës mes kryenegociatorëve”, ka thënë Kamberi.
E sipas analistit Albinot Malokut, në fazën aktuale është absurde thirrja e një takimi në nivel kryenegociatorësh.
“Vendosja e kushteve dhe paralelisht saj paralajmërimi për takim të shefave të dialogut të Kosovës dhe Serbisë, nga ana e kryeministrit të vendit, kjo nuk ka sens sepse kushtet duhet të vlejnë për të gjitha rrethanat, sepse kryenenogociatorët, nuk janë persona individual, që shkojnë për tu takuar në Bruksel, por ndjekin politikat e shtetit”, ka thënë Maloku.
Në një vit zgjedhor si në BE por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e madje edhe në Kosovë, gjasat që të ketë lëvizje pozitive në procesin e dialogut, po vlerësohen minimale.
Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se takimi i fundit është mundësi e humbur për të dyja palët.
Ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë që nga sulmi terrorist i Milan Radojçiqit dhe grupit të tij në Banjskë.