Kurti për targat: Do të shohim se sa të suksesshme do të jenë negociatat e reja

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media në Estoni i pyetur nga gazetarët për çështjen e targave ka thënë se mbetet të shihet në të ardhmen se sa të suksesshme do të jenë negociatat e reja me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për media në Estoni





Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgjatë vizitës së tij zyrtare në Estoni ka mbajtur konferencën e përbashkët me kryeministren e atij vendi, Kaja Kallas.

Në këtë konferencë, Kurti i pyetur nga gazetarët për targat ka thënë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është në bisedime intensive me Brukselin për të zgjidhur këtë çështje.

“Zëvendëskryeministri im i parë është në bisedime të rregullta dhe intensive me Brukselin për ta zgjidhur këtë çështje. Janë 9 mijë vetura me targa ilegale, pra është një pakicë ekstreme brenda shumicës serbe që po refuzojnë këto targa. Jemi duke bërë çmos për ta mbajtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë nga njëra anë dhe paqen e sigurinë nga ana tjetër”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se qasja e Beogradit për dialog është dekonstruktive, pasi edhe vetë Beogradi sipas tij ka urdhëruar dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës.

“Kemi pasur një dallim në qasje për zbatimin e vendimit, megjithatë Beogradi urdhëroi serbët që të braktisin institucionet e Kosovës. Unë apeloj që të mos japin dorëheqje, sepse institucionet demokratike janë të të gjithëve, jo vetëm të një kryeministri”.

Ai ka thënë se në ditët e ardhshme do të ketë negociata të reja me Serbinë dhe do të shihet se a do të jenë të suksesshme apo jo.

“Jemi duke bërë çmos për të mbajtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, unë jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft destruktive. Në ditët e ardhshme do të shohim se sa të suksesshme do të jenë negociatat e reja”.

Ai ka theksuar sërish se fokusi i bisedimeve me Serbinë është marrëveshja finale me njohje reciproke në qendër.

Ndërkaq i pyetur për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe punën e tyre, Kurti ka thënë se në ish-Jugosllavi janë vrarë rreth 150 mijë joserbë dhe se për fat të keq në Serbi nuk janë dënuar për këtë as 150 persona.

“Vetëm në vendin tim në Kosovë 10 mijë civilë të armatosur janë vrarë, prej tyre 10 për qind fëmijë, janë dhunuar shumë femra, 120 mijë shtëpi janë shkatërruar ose djegur, 860 mijë refugjatë është dashur të ikin për shkak të gjenocidit të Serbisë, dhe nuk ndiej që drejtësia është përmbushur”, ka theksuar Kurti.

Kurti rekomandoi që të krijohet një tribunal për viktimat e luftës së Rusisë në Ukrainë, pasi sipas tij vendet demokratike nuk mund të mbështeten vetëm në gjykatat e një vendi të vetëm.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se Republika e Estonisë është mike dhe partnere strategjike e Kosovës.

“Ne me Estoninë ndajmë vlera të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë”, ka theksuar ai.Ndryshe, të enjten e 17 nëntorit, kryeministri Kurti ka udhëtuar për vizitë zyrtare në shtetin e Estonisë.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ai pritet të ketë takime me përfaqësues të tjerë të këtij shteti.

Me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron, më 10 nëntor kryeministri Albin Kurti, kishte udhëtuar në Paris të Francës, ku kishte marrë pjesë në Forumin e Paqes.

Më pas, Kurti e kishte vizituar Austrinë dhe së fundmi edhe Gjermaninë.




Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika