Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa e ka komentuar iniciativën për mundësinë e tërheqjes së mjeteve monetare nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trust), ka thënë se nuk nuk duhet të lejohet tërheqja.
Sipas tij, nuk është e rastësishme që kjo nismë ka ardhur nga një deputet i opozitës i cili siç thotë Kurti në një prononcim të tij medial duke komentuar deklaratën brengosëse të përfaqësueve të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka thënë se po të donte FMN-ja do të na jepte mjete t’i shpërndanim për qytetarët dhe nuk do t’i preknim mjetet e fondit.
“Ja kush po merret me financa, me makroekonomi tek ne, është dilentantizëm i jashtëzakonshëm por pasojat nuk kemi pse i bartim ne të tjerët përveç se vetë ai person”, ka thënë Kurti.
Sipas të parit të qeverisë, fondi nuk ekziston për ta zbrazur, “ai është mbledhur për t’u mos u zbrazur”.
“Duhet t’i ndihmojë të gjithëve dhe ekonomisë e jo të fusim xhepin në moshën tonë të shtyer në mënyrë që ta humbim pleqërinë, ta humbim moshën e shtyer e të mos rregullojmë asgjë në të tashmen”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nga mbi 630 mijë llogari të hapura në Trustin Pensional të Kosovës, 92 për qind e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro.
Sipas tij, gjysma e kursimeve janë të koncentruara te më pak se 8 për qind e bartësve të llogarive dhe 1.2 për qind e individëve që kanë llogari në Trust kanë mesatarisht 30 herë më shumë se 80 për qind e qytetarëve që kanë të hapura llogari.
Këtë iniciativë të nisur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, Kurti e ka quajtur mosprofesionalizëm.
“Ky është niveli i profesionalizmit të kësaj kërkese, ky është niveli i seriozitetit dhe përgjegjësisë që e gjeni te sponzoruesit e kësaj iniciative.Dikush që sot me kaq lehtësi sugjeron tërheqjen e 30 për qind të Trrusit të jeni të bindur që nesër do e ketë të lehtë të votojë që të njejtat të kalojnë në pronësi publike për tenderë asfalti”, shtoi ai.
“Janë të njëjtit të cilët na kanë sjellur në këtë gjendje që tash po dëshirojnë që edhe ato pak të mira që ekzisotojnë t’i rrënojnë”.
Pos PDK-së, pro kësaj ideje janë rreshtuar edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Secili prej tyre për arsye të llojllojshme por me shpresa të njëjta. Objektivi është i njëjtë, të gjitha këto subjekte e dijnë se sa e rrezikshme është lejimi i tërheqjeve të tilla, që të gjithë në fakt shpresojnë dhe duan që ky propozim mos të kalojë, por shpresojnë që pas manipulimit të parë ku besojnë se janë pozicionuar si mbrojtës të interesave të qytetarëve do të kenë sukses edhe në manipulimin e dytë”, ka thënë ai.
Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, me vetiniciativë kishte dorëzuar në Kuvend Projektligjin për Fondet Pensionale të Kosovës, më nëntë mars.
Propozimi për tërheqjen nga Trusti shkon në Kuvend pa miratimin e komisionit