“Mbase edhe mund t’i vizitoj”.
Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur është pyetur se a do ta vizitojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Gjykatën Speciale, në Hagë.
Ai konsideron se më e rëndësishmja në këtë fazë është komunikimi me avokatët e të pandehurve.
“Kam konsideruar se më e rëndësishmja në fazën në të cilën kalojmë, sa i përket Gjykatës Speciale që nuk është e lëvdueshme për nga transparenca e saj, të kontaktoj, të komunikoj dhe të diskutoj me avokatët e luftëtarëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, në paraburgim të stërzgjatur”, shtoi Kurti.
“Në anën tjetër, që të gjithë të pandehurit konsiderohen së bashku edhe nga prokuroria për të keq edhe nga ana e Kosovës që ata i njeh si luftëtarë të dalluar të UÇK-së”, ka thënë kryeministri.
Ai ka theksuar se, ndonëse avokati e ka prioritet klientin e vet individualisht, por është “Republika e Kosovës, qeveria e saj, unë si kryeministër që e kuptojmë se do të bëhet mirë për të gjithë ata që po mbahen në paraburgim të stërzgjatur, atëherë kur do të bëhet mirë për të gjithë ata”.
Sipas tij, është e rëndësishme që mbrojtjet e të pandehurve të mos shkojnë në dëm të njëra-tjetrës.
“Atje në pyetje nuk janë individë, dhe qysh në verën e vitit 2020, atëherë kur është publikuar aktakuza, unë kam paraqitur kritikën dhe kundërshtimin tim për atë që është quajtur ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
“Merreni me mend që fillon në marsin e vitit 1998 kur ka filluar Epoeja e UÇK-së, jo vetëm që cilësohet si ndërmarrje e përbashkët kriminale, por në të njëjtën kohë origjina e saj shihet në marsin e vitit 1998. Kam bërë edhe kritika të tjera, prandaj unë do ta kem këtë qasjen e përgjithshme të shtetit, të qeverisë, të timin për atë që është interesi i përbashkët. E unë besoj që është edhe i atyre që janë në paraburgim atje”, përfundoi Kurti.
Kurti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe: S’ka asnjë lëvizje të re
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar se nuk ka asnjë lëvizje të re lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kështu ka thënë ai në një konferencë për media, kur pyetet lidhur me deklaratën e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila ka thënë se qeveria “e ka një propozim për asociacionin”.
“Unë nuk jam në dijeni si kryeministër për ndonjë plan për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo çështje është trajtuar shumë herë dhe nuk mund të shtoj diçka të re. Kushtetutshmëria në Kosovë nuk toleron asociacione në bazë etnike, mund të ketë mbi baza zhvillimore, por jo mbi baza etnike”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se, qeveria e Kosovës është e të gjithëve jo vetëm e shqiptarëve, prandaj pranohen kërkesat e ndryshme dhe mbrohen të drejtat e të gjithëve.
Në anën tjetër, sa i përket borxhit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore ndaj spitaleve private turke, Kurti nuk ka dhënë ndonjë shifër.
“Së shpejti do ta kemi bordin e ri të fondit të sigurimeve shëndetësore, ndërsa sa është shifra e saktë e një bordi të pretenduar, zëdhënësi ynë Përparim Kryeziu do të kontaktojë me MSH dhe do të kemi një përgjigje të saktë”, shtoi ai.