Sot është mbajtur ceremonia përkujtimore e organizuar në nderim të jetës dhe veprës së heroit të kombit, Ali Ajeti, në 35-vjetorin e rënies së tij.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka thënë se gjatë gjysmës së parë të këtij viti, i kanë përkujtuar me nderime të gjithë dëshmorët e Kosovës.
Kurti ka thënë se nga të gjithë dëshmorët dallojnë moshat e ndryshme në të cilën ata kanë rënë për lirinë e vendit.
“Teksa sot bëhen 35 vjet nga rënia e dëshmorit Ali Ajeti, duhen edhe dy javë që të bëhen 25 vjet nga ardhja e lirisë për Kosovën. Pra në këtë rast, mosha nga rënia e dëshmorit Ali Ajeti është për 10 vjet më e madhe se mosha e lirisë sonë që e gëzojmë, që e jetojmë edhe si rezultat i veprës dhe rënies së Ali Ajetit. Kjo sepse për lirinë e Kosovës, populli i saj ka nisur të paguaj shumë herët, që para se të fillonte lufta çlirimtare, meqë rezistenca dhe betejat për lirinë e Kosovës, janë vite dhe dekada më të hershme se lufta 1998 e ’99 kur ato kulmuan”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka thënë se viti 1989 është një vit kur janë bërë kapërcime të mëdha në ish-Jugosllavi.
“Ishte ky viti kur përfundimisht Jugosllavia e AVNOJ-it u bë Jugosllavi e Millosheviqit. Më 1 mars të vitit 1989, Serbia pati shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë, që në atë kohë ishte ende krahinë autonome në kuadër të Jugosllavisë. Disa ditë më pas, më 18 mars 1989, Serbia i miratoi disa ndryshime kushtetuese me të cilat i dha vetes arbitrarisht kompetenca shtesë mbi Kosovën, kurse pas pesë ditësh, më 23 mars 1989, regjimi terrorist i Serbisë, ia suprimoi autonominë Kosovës. Katër ditë më pas, më 27 mars 1989, disa djem nga treva e Llapit, kryen një aksion të armatosur duke e vrarë një polic e duke e plagosur një tjetër. Ata i takonin një grupi që njihej si “Çeta e Llapit”, e i cili drejtohej ushtarakisht nga Ali Ajeti, kurse politikisht nga Sabri Kiçmari”, ka thënë tutje Kurti.
Ai është shprehur se Çeta e Llapit ishte organizata e parë në Kosovë që kishte karakter ushtarak, e cila u formua më 10 korrik 1981 nga Ali Ajeti, Avdi Gjata dhe Hamit Hamiti.
“Por ndërkohë, shumë nga anëtarët e këtij grupi ishin arrestuar dhe burgosur politikisht, shpërndarë anë e mbanë kazamateve të ish-Jugosllavisë, sikur se edhe vet Ali Ajeti, që pas gjashtë muajsh në hetuesi, më 18 qershor 1984, u dënua me pesë vjet burgim. Në po të njëjtin proces gjyqësor politik me Aliun, ishin dënuar edhe Bajram Ajeti, Sherif Konjufca, Avdi Gjata, Ismet Begolli, Musa Jupolli, Sabri R. Hamiti, Mustafë Xhemajli, Bajrush Behrami, Kadri Llugalliu dhe Shaban Mulolli. I lindur më 10 gusht 1957, Ali Ajeti i mbushi 27 vjet sa ishte në burg, teksa vuajti në burgun e Prishtinës, në burgun e Mitrovicës, të Gjurakocit, të Dubravës dhe në burgun e hetuesisë në Pejë, gjersa kur u lirua nga burgu, tashmë ishte bërë 31 vjeçar. Por të qenit i lirë nga burgu, nuk i ofronte liri as Ali Ajetit, as shokëve të tij dhe as popullit të Kosovës së okupuar, andaj pas lirimit nga burgu, Aliu iu rikthye angazhimit për lirinë e popullit dhe çlirimin e vendit të tij”, ka shtuar Kurti.
Kryeministri ka theksuar se kjo situatë kishte vazhduar për disa muaj, deri më 30 maj të vitit 1989, kur në Kosovë kishte ardhur një delegacion i Paralamentit Evropian.
“Ata erdhën në Kosovë për ta parë gjendjen e shqiptarëve, që ishin të shtypur politikisht, të dërrmuar ekonomikisht dhe të diskriminuar ç‘njerëzisht nga regjimi i Serbisë. Në agjendën e delegacionit të Parlamentit Evropian ishte paraparë atëbotë që në ora 13:00, anëtarët e tij ta vizitonin qytetin e Podujevës. Pikërisht në atë kohë Ali Ajeti me shokët e Çetës së Llapit, organizuan një demonstratë masive në Podujevë me parullat: “Kosova Republikë”, “Vetëvendosje”, “Liri, barazi, demokraci”, “Parlament mos lejo apartheid” etj”, ka potencuar tutje kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti.