Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar heroin Bahri Fazliun në 24-vjetorin e rënies së tij.
Shefi i ekzekutivit përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se edhe në momentin e rënies ai shkrepi armën duke vrarë një nga ushtarët jugosllavë, të cilët e vranë.
Ai po ashtu ka thënë se Bahriu qysh në fëmijëri, mori shembujt më të mirë duke parë vëllain Fahriun dhe shokun e tij Afrim Zhitia, teksa vepronin politikisht.
“Ai nuk u mjaftua me të parë, sepse duke lexuar letërsi, filozofi, ekonomi politike dhe sociologji, u formësua teorikisht duke u përgatitur politikisht përpara se të aktivizohej si luftëtar i armatosur, me shokë si Agron Rrahmani”, ka shkruar Kurti.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi, ka përkujtuar heroin Fazliu.
Ai së bashku me kolegët e tij, ka bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Velani, aty ku pushon trupi i heroit të Kosovës, Bahri Fazliu.
Krasniqi përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se Bahriu, ashtu sikur vëllai i tij Fahriu, i cili kishte rënë më 1989 së bashku me Afrim Zhitinë në Bregun e Diellit, është vetë dëshmia e përjetshme e patriotizmit dhe atdhedashurisë së familjes Fazliu.
“Lavdi heroit Bahri Fazliu dhe të gjithë dëshmorëve tanë, gjaku i të cilëve jetësoi ëndrrën e një populli ndër dekada”, ka shkruar Krasniqi.
Ndryshe, Bahri Fazliu ka rënë dëshmor në Bogiqe, në një zonë kufitare mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, plot 24 vjet më parë, më 7 maj 1998.
Fazliu, përpos që ishte një luftëtari madh i lirisë, njëkohësisht ishte edhe një intelektual i fuqishëm, analist i thellë i koncepteve militante dhe poet i talentuar.
Më 25 maj 1993, Bahriu së bashku me aktivistë të tjerë të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, formuan Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK).
Publicistika e Bahriut shquhet për interpretimin realist të zhvillimeve në Kosovë gjatë viteve nëntëdhjetë.
Në shkrimet e tij, Bahri Fazliu nuk kurseu nga kritika e tij e thellë dhe konstruktive, askënd që nuk ishte për çlirimin në luftën e Kosovës.