Kurti: Plani i zbatimit mbase nuk duhet të diskutohet vetëm në Ohër

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, ka thënë se në takimin në Ohër do të diskutohet për planin e zbatimit të marrëveshjes, por nuk është shprehur optimist se gjithçka do të përfundojë në takimin e 18 marsit, pasi sipas tij, mund të ketë diskutime edhe në ndonjë vend tjetër

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se plani i zbatimit të propozimit evropian mbase nuk duhet të diskutohet vetëm në Ohër.

Duke folur para gazetarëve pas edicionit të dhjetë të “Javës së Gruas”, Kurti është shprehur optimist se do të ketë dakordim mes palëve në takimin e Ohrit, më 18 mars.

“Plani i zbatimit duhet të diskutohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër. Unë jam optimist, mirëpo tash se a do të ketë sukses a nuk do të ketë sukses, ju e dini shumë mirë që nuk varet vetëm prej meje. Unë kam ofruar që edhe në 27 shkurt ta nënshkruajmë marrëveshjen. Nëse ka pasur mossukses asnjëherë nuk ka qenë për fajin tim, sepse unë kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ”, ka thënë Kurti.

I pyetur nga gazetarët për deklaratën e fundit të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak i cili ka thënë se “nuk ka marrëveshje nëse nuk formohet Asociacioni”, Kurti ka deklaruar se duhet të diskutohet për planin e zbatimit të marrëveshjes që janë pajtuar në Bruksel.

Sipas tij, bashkë me konkluzione që janë bërë në Bruksel, del se nga 2 korriku i vitit 2011 e deri më 25 gusht të vitit 2015 janë 39 marrëveshje gjithsej dhe se Asociacioni i komunave me shumicë serbe përbën gjashtë pikat e para të një marrëveshjeje 15 pikëshe e cila është e 16-ta prej 39 marrëveshjeve.

“Ne jemi dakorduar për propozimin evropian, me iniciativë franko-gjermane dhe aty janë pesë fjali në preambulë, janë 11 nene gjithsej, le ta diskutojmë planin e zbatimit. Unë e di që Serbia shtyn shumë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por ne e dimë qëndrimin e Serbisë, por unë dua t’i referohem asaj për çfarë jemi marrë vesh dhe atë që keni mundur ta lexoni që të gjithë, e plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër”, ka thënë tutje Kurti, ka raportuar EO.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Takimi i radhës mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian do të mbahet më 18 mars në Ohër.

Para vizitës në Beograd, Lajçak ka qëndruar në Kosovë më 13 dhe 14 mars, me qëllim të mbledhjes së informacionit sesi do të zbatohet e ashtuquajtura Marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, për të cilën palët kanë arritur pajtueshmëri, sipas kryediplomatit evropian, Josep Borell.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Më 9 mars, Lajçak ka thënë se ka pasur bisedime konstruktive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin për zbatimin e Marrëveshjes, dhe ka shtuar se takimi i ka përmbushur pritshmëritë e tij.

Pas takimit me Kurtin, diplomati sllovak ka thënë se të dyja palët duhet të pajtohen për aneksin e zbatimit, sepse Marrëveshja nuk do të jetë ligjërisht obliguese pa të.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale. Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika