Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe qeverinë e tij për shkelje të Ligjit për Qeverinë, duke mos dorëzuar formalisht dorëheqjen.
Kurti: Deri në zgjedhjen e qeverisë së re do të jemi në një rol kujdestar
Sipas Cakollit, ligji e përcakton qartë se një qeveri duhet të shmangë konfliktin e interesit duke u dorëhequr para certifikimit të zgjedhjeve, respektivisht anëtarët qeveritar që janë certifikuar si deputetë.
“Absolutisht që po (shkelet ligji). Në fakt nuk e di se kush ka dilema, ligji është tepër i qartë. Mbase kryeministri mund të ketë dilema, por ligji e thotë tepër qartë që qeveria në detyra, që është statusi aktual ligjor i Qeverisë Kurti, në mënyrë që ta evitojë konfliktin e interesit, përkatësisht këtë papajtueshmërinë në ushtrimin e mandatit, duhet që para ditës së certifikimi të zgjedhjeve të japin dorëheqje formalisht. Ligji e përcakton që nuk mund të mjaftohen me përfundimin e mandatit.
Në fakt përfundimi i mandatit, është hallka e nevojshme që qeveria të konsiderohet në detyrë, dhe atë që nga 23 marsi. Kështu që prej dje në mesnatë qeveria është, përkatësisht kryeministrit dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, janë duke e shkulur Ligjin për Qeverinë (nenin 26)”, ka thënë Cakolli në Debat Plus.
Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit
Cakolli gjithashtu ka kritikuar situatën e krijuar, duke thënë se është e pakuptimtë që në seancën konstituive të Kuvendit mund të ketë persona që jenë si kryeministër dhe njëkohësisht si deputet, apo si ministër dhe deputet.
“Për shkak se nuk ka logjik e as sens ligjor, që dikush të zëmë në seancën konstituive, nëse njëjta do të thirret brenda 30 ditëve, edhe në cilësi të kryeministrit edhe në cilësi në deputetit. Apo edhe në cilësi të ministrit edhe në cilësi të deputetit. Prandaj, është krejtësisht e paqartë pse ka nevojë të krijohen situata të tillë politike, për shkak se në fund të ditës për kryeministrin dhe ministrat, efekti juridik është i njëjti. Edhe sikur të japin dorëheqje edhe me përfundimin e mandatit, ata tashme i kanë përgjegjësitë e kufizuara”, ka shtuar Cakolli.
Ai e ka cilësuar këtë si një taktikë politike të Kurtit për të shmangur zbatimin e ligjit, duke mos dashur të portretizohet si dikush që po jep dorëheqje.
“Po besoj që është shumë një lloj taktizimi, që ti ikë kërkesës ligjore në njërën anë dhe të mos portretizohet si dikush që po jep dorëheqje”, ka thënë Cakolli në Debat Plus.